
Vrasësi masiv Breivik nis seancën gjyqësore me përshëndetje naziste
Vrasësi masiv Anders Breivik e nisi seancën e rishqyrtimit të çështjes së tij të martën me një përshëndetje naziste.
Ekstremisti i djathtë, i cili organizoi vrasjen e 77 personave në dy ngjarje të sinkronizuara në Norvegji gjatë vitit 2011, ka kaluar 10 vitet e fundit në burg. Në vitin 2012 ai u dënua me 21 vite dhe aktualisht ka ngritur pretendime për lirim të parakohshëm.
Me një kokë të rruar dhe të veshur me një kostum të errët, Breivik bëri një shenjë supremaciste të bardhë me gishta përpara se të ngrinte krahun e djathtë në një përshëndetje tipike naziste duke sinjalizuar kështu ideologjinë e tij të ekstremit të djathtë.
Ai mbante gjithashtu tabela, të shtypura në anglisht, duke përfshirë një që thoshte “Stop gjenocidit tuaj kundër kombeve tona të bardha” dhe “Lufta-Civile-Naziste”.
Më vonë atij iu tha të ndalonte shfaqjen e tyre ndërsa prokuroria prezantoi rastin e saj.
Avokati i Breivik tha se ai synon të sigurojë përfundimisht lirimin. Duke iu drejtuar gjykatës, Breivik fajësoi për krimet e tij radikalizimin në internet nga një rrjet pa drejtues ekstremistësh të ekstremit të djathtë, për të cilin ai tha se kishte motivuar sulmet e tij.
“Më është bërë shpëlarje truri”, tha Breivik.
“Urdhri ishte… që të rivendosnim Rajhun e Tretë,” tha ai.
Breivik, i cili e përshkroi veten si kandidat të mundshëm për deputet, tha gjithashtu se ai do të vazhdojë betejën e tij për supremacinë e bardhë dhe dominimin nazist, por kësaj here theksoi se beteja e tij do jetë me mjete paqësore.
Seanca e së martës ishte paraqitja e parë publike e Breivik që nga viti 2017, kur ai shfaqi edhe përshëndetjet naziste në gjykatë.
Breivik, 42 vjeç, po vuan dënimin maksimal të Norvegjisë prej 21 vitesh, i cili mund të zgjatet për një kohë të pacaktuar nëse ai konsiderohet një kërcënim i vazhdueshëm për shoqërinë.
Gjykata e Telemark në Skien, në jugperëndim të kryeqytetit Oslo, ku Breivik po vuan dënimin e tij, po shqyrton çështjen këtë javë pasi zyra e prokurorit të shtetit të Oslos refuzoi vitin e kaluar kërkesën e parë për lirim të parakohshëm.
Breivik, i cili ka ndryshuar emrin e tij ligjor në Fjotolf Hansen, humbi një çështje për të drejtat e njeriut në vitin 2017 kur një gjykatë e apelit anuloi vendimin e një gjykate më të ulët se izolimi i tij në një qeli me tre dhoma ishte çnjerëzor.