
Vota e emigrantëve ende larg, çfarë po ndodh?
Edhe pse ndryshimet në Kodin Zgjedhor që legjitimojnë votën e emigrantëve në zgjedhjet parlamentare, janë miratuar në Korrikun e 2020, kjo e drejtë duket ende e pamundur për t’u ushtruar edhe në 2025-ën.
Komisioneri Celibashi, në një tryezë të organizuar për këtë çështje me mbështetjen e OSBE-së, i kërkon ndihmë politikës, e cila duhet të bashkojë votat dhe të miratojë aktet ligjore që nevojiten.
Me deklarata, të dy palët tregojnë vullnet për t’i miratuar amendimet në Kodin Zgjedhor, por realiteti është pak larg asaj që thuhet. Komisioni i Reformës Zgjedhore, të cilit i është shtyrë mandati tre herë, është mbledhur për herë të fundit Dhjetorin e vitit të shkuar. E veç kësaj, qëndrimet e palëve për modelitetet e votimit duken të kundërta.
Demokratët që kanë një tjetër debat në gjirin e tyre, atë se kujt i takon përfaqësimi në Komisionin e Reformës Zgjedhore, të cilin e eksportuan dhe në këtë tryezë.
Vetë përfaqësuesit e diasporës i kujtojnë politikës detyrimin për të përmbushur deri në 6 Dhjetor vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të miratuar boshllëqet në ligjin elektoral për të bërë të mundur votimin e shqiptarëve që jetojnë jashtë.