
Volkswagen rikthen modelin legjendar të furgonit T1 me variant elektrik
Pas vitesh pritjeje dhe spekulimesh, Volkswagen ka zbuluar versionin përfundimtar të modelit të ri elektrik të mikrobusit legjendar T1.
Në vitet 60-të Volkswagen konceptoi një nga modelet ikonë të makinave të udhëtimeve, që më pas prodhoi 6 gjenerata modelesh që u mbiquajtën me emra të ndryshme si kamper, kargo, mikrobuz, transporter apo dhe furgon model hipi.
Por pas viteve 80-të ky model u venit duke u tejkaluar nga modele markash të tjera. Sidoqoftë 30 vite më vonë Volkswagen është rikthyer për të frymëzuar një gjeneratë të re, atë të makinave elektrike.
Modeli elektrik quhet ID Buzz, ka një motor elektrik prej 150 kW, rrotat aktive të pasme të afta për të gjeneruar 201 kuaj fuqi. Furgoni ka një bateri prej 77kW/h e aftë për të përballuar një distancë prej 155 kilometrash me një karikim.
Për të pasionuarit pas udhëtimeve kjo distancë nuk është aspak kufizim, pasi bateria e ID Buzz mund të karikohet deri në 80% për rreth 30 minuta, aq sa zakonisht kryhet një pushim i rëndomtë për kafe apo drekë.
Me një dizajn fantastik, që ka bazën te modeli Y i viteve 60-të, Volkswagen e ka zgjeruar hapësirën duke e bërë më të lartë, më të gjerë dhe më të gjatë. Në thelb Buzz-ID bën bashkë të gjitha modelet e shkuara si kargon, kamperin apo dhe mikrobusin. Nga një furgon për 5 persona, ai mund të kthehet në një furgon mallrash, furgon kampingu apo udhëtimesh të gjata.
Gjithçka e rishikuar me risitë më të fundit teknologjike, ID-Buzz plotëson shumicën e kërkesave të ditëve të zakonshme në zona urbane, por jo vetëm.
Marka gjermane ka bërë me dije se prodhimi i këtij modeli do të nisë këtë vit, me synimin për ta nxjerrë për tregun europian që gjatë vjeshtës, ndërsa për tregun amerikan Volkswagen po mendon të rishikojë disa aspekte dhe të jetë gati për vitin 2025 me fabrikën në Kaliforni.