
Vlora, “qyteti me dy dete”
Vlora është një nga qytetet më të bukur të Shqipërisë, e quajtur si “Qyteti i flamurit’’, “qyteti me dy dete” apo “porti jugor i Adriatikut’’ ajo konsiderohet si perla e turizmit shqiptar, me brigjet e saj, Karaburunin, Sazanin, Llogoranë, kalanë e Kaninës, Lagunën e Nartës, plazhet e shumtë, monumentet, njerëzit, prodhimet e tokës dhe të detit. Vlora zë një vend të merituar në historinë e Shqipërisë duke gëzuar edhe statusin e qytetit hero.
Qyteti ku u martua Skëndërbeu, ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë, arenë e luftërave për liri dhe qëndresës shqiptare, Vlora ka edhe një status tjetër si atelje natyrore e piktorëve, vatër e artistëve dhe urë lidhëse e Shqipërisë me botën. Të vizitosh Vlorën, do të thotë t’i japësh vetes privilegjin e të shijuarit ndjesinë më të këndshme e më mbresëlënëse të shijes së mirë, humorit gjithnjë në nivele të larta dhe natyrës së mrekullueshme. Duke zgjedhur Vlorën për pushimet tuaja, natyrisht që do të bëni një zgjedhje inteligjente por duhet të keni parasysh se Vlora është një qytet magjik që ta bën të vështirë kthimin. E ashpër në dukje, me shkrepa e natyrë të sertë mes detit të trazuar, ajo ka njëkohësisht një zemër të butë, njerëz të dlirë, ushqim të shëndetshëm e karakteristik e mbi të gjitha një lloj sugjestioni të pashpjegueshëm që të bën për vete me përmbajtjen plot shije. Natyra e rrëmbyer e lebërve, është njëkohësisht e nxehtë por edhe mikpritëse, plot dinamizëm e dëshirë për jetën, karakteristika këto me efekte ngjitëse që do t’ju rrëmbejnë edhe juve për të shijuar gjallërisht ditët plot jetë të verës vlonjate. Por mos harroni se Vlora nuk është e bukur vetëm në verë. Përveç atraksioneve të shumta kulturore dhe historike, ju mund të vizitoni në çdo stinë të vitit detin e saj të mrekullueshëm, panoramat e të cilit krijojnë momente të papërsëritshme kënaqësie dhe relaksi.
Vlora ndodhet në jug- perëndim të Shqipërisë përgjatë bregdetit të ulët të Adriatikut dhe atij shkëmbor të Jonit. Dialekti tipik, kultura dhe traditat i dallojnë lehtësisht vlonjatët, të cilët shquhen dhe për temperamentin e zjarrtë dhe humorin e hollë dhe plot shije. Ndoshta natyra ka krijuar si askund tjetër një ekuilibër midis malit, detit dhe gjelbërimit, duke ndikuar drejtëpërdrejt tek karakteri i njerëzve. Mjedisi gjeografik dhe shoqëria e bëjnë Vlorën një vend të dashur që i tërheq si me magji vizitorët dhe turistët. Nga ky komunitet kanë dalë një sërë personalitetesh dhe njerëzish të shquar, ku mund të përmendim emrat e Ismail Qemalit, Jani Mingës, Eqrem Vlorës, Ali Asllanit, Petro Markos, Drita Pelingut, Shaban Demirajt, Fatos Arapit, Liza Laskës, Bardhosh Gaçes, Mexhit Haxhiut, etj
Kultura dhe Trashëgimia
Vlora njihet si një nga qytetet që ka dhënë kontribut të shquar në kulturën kombëtare. Janë të shumta fushat nga ku ky qytet ka nxjerrë personalitete. Këtu u hap muzeu i parë arkeologjik në vitin 1936, në të cilin u ekspozuan objektet e zbuluara në Apoloni nga arkeologu francez Leon Rei. Gjithashtu Vlora është quajtur edhe qyteti i statujave dhe monumenteve ku mund të përmendim atë të Luftëtarit Kombëtar, Avni Rustemit, Monumentit të Pavarësisë, Marigo Poisos, Jani Mingës, etj. Sot Vlora është qytet universitar dhe janë të shumta institucionet arsimore, kulturore dhe sportive si Biblioteka Shevqet Musaraj, Teatri Petro Marko, Gjimnazi Ali Demi, muzetë e shumtë, si ai historik, etnografik apo ai I pavarësisë. Çdo vit këtu zhvillohen aktivitete të rëndësishme kombëtare si Festivalii i Polifonisë Mesdhetare, Panairi i librit, Festivali Kombëtar i Teatrove të Estradave. Dy nga vlerat e trashëgimnisë kulturore që mbart rajoni i Vlorës janë edhe Polifonia Labe, e vlerësuar si pasuri e UNESKOS, apo këngët qytetare vlonjate.
Për t’u vizituar
Kurora e Ullinjve ndodhen në hyrje të Vlorës në kodrat e Bestrovës, përgjatë rrugës së vjetër automobilistike. Janë me dhjetra ullinj shekullorë, të cilët të japin një kënaqësi mbresëlënëse të kësaj mrekullie njerëzore. Midis tyre gjejmë edhe llojet e tipit kalinjot dhe vlonjat të përmendur për frutat dhe vajin.
Sheshi i Flamurit përbëhet nga disa objekte kulturore. Në qëndër ndodhet Monumenti i Pavarsisë, simbol i qëndresës kombëtare. I ndërtuar në vitin 1972 ai është 17 m i lartë dhe konsiderohet si një nga kryeveprat e skulpturës monumentale. Midis gjashtë figurave të bronzta spikat ajo e Ismail Qemalit, arkitektit të Pavarësisë Kombëtare. Në të majtë të monumentit ndodhet shtiza e flamurit, një piedestal në formë kolone me faqe të dekoruara nga data e pavarësisë dhe shqiponja kombëtare. Ajo u ndërtua në vitin 1937 nën kujdesin e kryetarit të atëhershëm të bashkisë, poetit lirik Ali Asllani. Pas shtizës së flamurit, disa metra brenda lulishtes ndodhet varri i Ismail Qemalit. Varri është ndërtuar në vitin 1932, kur eshtrat e tij u zhvendosën këtu nga Kanina. Sipër tij qëndron skulptura e Luftëtarit Kombëtar, vepër e skulptorit Odise Paskali. Në këndin perëndimor të Sheshit të Flamurit në vitin 1988 arkeologët nxorën në dritë një pjesë të murit të kështjellës romake të qytetis të Aulonës. Nga gërmimi doli një trakt i gjatë muri prej 40 m, i cili mund të shihet nga vizitorët edhe sot.
Xhamia e Muradies ndodhet në qendër të qytetit, në fillim të zonës së vjetër historike të qytetit. Është ndërtuar në vitin 1537 nga arkitekt Sinani, i cili shoqëronte në Vlorë sulltan Sulejman Madhështorin. E ndërtuar me një teknikë të përzier ku gurët e bardhë të ndërtesës janë kombinuar me tulla të kuqe dhe llaç. Xhamia është e paisur me kupolë të mbuluar me tjegulla të kuqe e cila bën kontrast me minaren të ndërtuar krejtësisht me gurë të bardhë.
Kuz-Babai është në Vlorë kodra më e lartë e cila bie thikë në pjesën lindore të qytetit. Ndërkohë që në këto vite të fundit është rindërtuar edhe tyrbja–mauzoleum e Kuzum babait, një kleriku të mbështjellë nga legjenda, arkitektura monumentale e së cilës ku mbizotëron ngjyra jeshile, është një nga simbolet e sektit bektashi.
Muzeu i Pavarësisë ndodhet në Skelë përballë portit detar. Përbëhet nga një ndërtesë e thjeshtë me disa dhoma, e cila ka shërbyer si seli e Qeverisë Shqiptare në vitet 1912-1914. Midis sallave dhe relikeve në katin e dytë ndodhet edhe studjoja e kryeministrit Ismail Qemali.
Stadiumi Flamurtari bie lehtë në sy nga ngjyrat kombëtare kuq e zi. Me një kapacitet prej 15 000 vendesh ai është i njohur për triumfet e Flamurtarit në vitet 1980 dhe ndeshjeve të paharruara në përballjet historike me Barcelonën.
Të tjera objekte me vlera për tu vizituar në qytet janë edhe rruga historie Justin Gotard, ku kaluan delegatët e kuvendit të pavarësisë; shtëpia e familjes Vlora, e cila sundoipër 400 vjet qytetin; rruga e Hebrenjve, Kulla e Sahatit, Bashkia, e ndërtuar në stilin neoklasik, Teatri Petro Marko, etj.
Kalaja e Kaninës ndodhet në pjesën jug- lindje të qytetit të Vlorës në një kodër të lartë 380 m. Ka patur funksion mbrojtës për bashkësinë e ilirëve amantë qysh nga periudha antike. Arkeologët kanë specifikuar mure të periudhave të ndryshme historike që I përkasin stileve dhe teknikave të ndyshme. Sipërfaqja e konsiderushme prej 3.5 ha tregon për arsenalin ushtarak dhe njerëzit që mund të strehonte. Nga bedenat e saj kontrollohej gjiri i Vlorës, fusha bregdetare dhe lugina e poshtme e Shushicës. Janë të shumta historitë e mbështjella në formë legjendash për këtë kështjellë, të cilat bëjnë fjalë për gruan vrastare të kështjellarit, për princeshën Rugina, apo për martesën e Donikës me Skëndërbeun.
Gjiri i Vlorës
Gjiri i Vlorës është gjiri më i madh i bregdetit shqiptar, që nis që nga Kepi i Pllakës në Treport dhe vazhdon drejt jugut, duke krijuar formën e një krahu të hapur deri në gjirin e Shën Janit në veri të Karaburunit. Në hyrje të tij gjendet ishulli i Sazanit me një largësi prej 17 km nga qyteti i Vlorës. Gjiri i Vlorës ka një gjatësi prej 19 km, gjerësi prej 9.5 km dhe thellësi 54 m. Pjesa perëndimore e tij që shtrihet përgjatë gadishullit të Karaburunit përbëhet nga një bregdet shkëmbor ndërsa pjesa lindore përbëhet nga një bregdet i ulët ranor, I pasur me disa plazhe. Ujërat e Adriatikut që përbëjnë këtë gji arrijnë temperatura që variojnë nga 13oC në stinën e ftohtë të dimrit e deri në 25oC në muajt e nxehtë të verës, të cilat mundësojnë banjat detare dhe peshkimin pothuajse gjatë gjith vitit. Relievi përreth i mbart të gjitha format, duke nisur nga kurrizi i kodrave të Treportit, pasqyra e Lagunës së Nartës, Kodrat e Zvërnecit, gropa e Vlorës, kodrat rreth saj, kalaja e Kaninës, mali i Shashicës, mali i Lungarës, Llogoraja, për të vazhduar më tej me Rrëzën e Kanalit, luginën e Dukatit, Karaburunin duke e mbyllur unazën në Sazan, pikën më perëndimore të Shqipërisë. Porti i Vlorës është porti më i madh i Shqipërisë Jugore dhe i shërben të gjithë rajonit përreth, në transportin e mallrave dhe udhëtarëve. Në veri-perëndim të këtij porti ndodhet porti i Zvërnecit, i cili shërben për ankorimin e anijeve të flotës të peshkimit. Ndërsa në Jug të qytetit të Vlorës ndodhet porti i vogël i Radhimës, i cili u shërben anijeve të vogla të transportit. Në pjesën më Jugore të gjirit, atje ku fillon gadishulli i Karaburunit ndodhet porti ushtarak i Pasha Limanit. I quajtur me këtë emër nga Marina turke në shekullin e XVI, ai u bë një bazë e madhe ushtarake e Traktatit të Varshavës në vitet e luftës së ftohtë. Aty sovjetikët investuan miliona dollarë dhe për një periudhë disa vjeçare ajo u bë gati për ti shërbyer një skuadre detare të përbërë nga 12 nëndetëse dhe dhjetra anije të tjera ndihmëse. Edhe Porti që ndodhet në Ishullin e Sazanit është përdorur për qëllime ushtarake. Sot ai përdoret nga Guardia di Finanza Italiane, për të patrulluar brigjet shqiptare, duke parandaluar trafiqet e paligjshme. Në Orikum ndodhet porti më i ri i gjirit të Vlorës i cili është i vetmi port Turistik i Jahteve në Shqipëri, quajtur Marina e Orikumit.
Karaburuni
Karaburuni është gadishulli më i madh që ndodhet në territorin e Republikës së Shqipërisë, i cili ndodhet midis detit Adriatik( gjirit të Vlorës) dhe detit Jon . Me një gjatësi prej 16 km, Karaburuni shërben si kufiri ndarës midis midis këtyre dy deteve. Peisazhi i çuditshëm i tij ofron forma nga më të ndryshmet si gjire të vegjël, pllaja, shpella karstike, kepe, plazhe, shpate të zhveshur, maja malesh, etj. Midis tyre mund të përmendim gjiret me emra të çuditshëm si ai i Ariut, Dafinës, Raguzës së parë, Raguzës së dytë, Ravenës, Shën Janit, Shën Vasilit,etj, Maja më e lartë e Karaburunit është Koreta me lartësi 826m, kurse fare pranë saj ndodhet pllaja karstike e Ravenës me lartësi që varion nga 200-300 m, në lartësinë e të cilës Sovietikët mendonin të instalonin raketat e tyre në fund të viteve 1950. Përhapja e dukurisë gjeografike të Karstit ka bërë që në gadishull të zhvillohet dukuria e shpellave. Janë gjithsej 20 të tilla përgjatë gjithë vijës bregdetare, nga ku mund të përmendim shpellën e Haxhi Aliut, atë të Dukë Gjonit, shpellën pranë gjirit të Ariut, Shpellën e pëllumbave, shpellën e Inglizit, shpellën e thellë, etj. Por shpella më e madhe dhe më interesante e Karaburunit është ajo e Haxhi Aliut, e cila ka formën e një tuneli me lartësi 60 m dhe gjatësi 40 m. Sipas legjendës shpella dikur është përdorur nga pirati i njohur i shekullit të XVII-të Haxhi Aliu. Këtu ai strehohej së bashku me anijen dhe njerëzit e tij. Pozicioni i favorshëm i Karaburunit i ofronte atij mundësinë e sulmit ndaj anijeve napolitane, turke, veneciane, apo dalmate. Në Karaburun midis gjireve të shumtë të bie në sy edhe ai i Gramatës. Gramata në greqisht do të thotë “shkrime”. Me këtë emër njihet ky gji i vogël qe ndodhet në pjesën perëndimore të Karaburunit. Qysh në periudhën antike këtu ankoroheshin anijet, të cilat dallgët e detit mund ti përplasnin në shkëmbinjtë e gadishullit. Të strehuar këtu udhëtarë të shumtë nga vende të ndryshme të mesdheut kanë lënë shënimet e tyre, të cilat i kanë gdhendur në faqet e shkëmbinjve, që janë përdorur edhe si gurore Mbishkrimet e para ju kushtohen perëndive dhe janë lutje për shpëtim nga furtuna në det. Ndërsa në të tjera mbishkrime përmendet figura historike të Romës si Pompeu, Dolabela, Mark Antoni ose Konsulli Tit Statit Tauri.
Oriku
Atje ku Karaburuni bashkohet me luginën e Dukatit ndodhen rrënojat e Orikut antik, i cili lindi si koloni e themeluar nga grekët e Eubesë në shekullin e VI.pk. Një nga autorët antikë, Plini, thotë se Oriku u themelua nga Kolkasit. I ndërtuar sipas stilit të Polisit grek ai mbështetej në shpinë të kodrës së Paleokastrës me pamje të gjerë nga gjiri i Vlorës. Gërmimet arkeologjike që janë kryer dikur kanë nxjerrë në dritë midis objekteve të tjera edhe një teatër të vogël, që merrte në shkallaret e tij rreth 500 spektatorë, disa shtëpi banimi, një mol disa shkallare, etj.
Kisha e Marmiroit është një kapelë e një manastiri të vogël ndërtuar në shëkullin e XII-të. Quhet me këtë emër për shkak të gurëve të bardhë, dmth të mermertë (Marmiro) të marrë nga rrënojat e Orikut antik. Me një arkitekturë tipike për kishat bizantine në formë kryqi me kupolë, ajo ruan përreth edhe rrënojat e manastirit të dikurshëm.
Sazani
Fare pranë Karaburunit ndodhet ishulli i Sazanit i cili njihet nga të gjithë si Ishulli më i madh i Shqipërisë. Me një sipërfaqe prej 5.5 km2 ai ndodhet në hyrje të gjirit të Vlorës, 16 km larg kësaj të fundit dhe ndahet nga Karaburuni prej ngushticës së Mezokanalit, 4.8 km e gjerë, ndërsa largësia e tij nga kepi i triporteve është 8.5 km. Iërbërë nga dy kodra pothuaj “binjake”, Sazani ka një lartësi maksimale prej 342 m, dhe një vije bregdetare të lartë e shkëmbore, të pasur me gjire të vegjël. Më i rëndësishmi ndër ta është ai i Shën Kollit ku ndodhet edhe Porti ushtarak i Sazanit. Gjatë viteve të komunizmit këtu u ngrit një bazë ushtarake detare dhe një qytezë ku banonin familjet e ushtarakëve. Ato u larguan nga ishulli kur baza u braktis në vitin 1992 nga ushtria shqiptare, e cila më vonë e vuri Sazanin në dispozicion të NATO-s. Fakt interesant është se në Sazan rritet edhe një lloj lepuri i egër, i cili u soll në ishull midis dy luftërave botërore nga Italianët. I quajtur Lepuri i gropave, kjo specie ka ardhur duke u shtuar sepse në Sazan nuk ka kafshë grabitqare.
Parku Kombëtar i Llogorasë shtrihet atje ku nis lugina e Dukatit përgjatë shpateve të Lungarës dhë Rrëzës së Kanalit. Me një sipërfaqe prej 1010 ha kjo hapësirë shtrihet nga lartësia 500 m duke u ngjitur deri në lartësinë 1100 m. Brenda tij ndeshim një bimësi të dendur që nis nga shkurret mesdhetare, halorët e ndryshëm, drurët gjethegjërë, kullotat, etj. Llogoraja përmendet edhe për faunën e pasur të saj ku mund të përmendim shpendë të rrallë dhe gjitarë të ndryshëm. Brenda parkut, buzë rrugës në lartësinë 910 m ndodhet edhe monument kulture shumë I veçantë, siç është pisha flamur, e quajtur kështu nga forma e degëve të përpunuara nga era.
Poshtë Llogorasë ndodhet fshati i Dukatit i përmendur për folklorin, historinë dhe traditat.
Laguna e Orikumit ndodhet midis Karaburunit dhe qytetit të Orikumit. Dallohet për shpendët dhe speciet e shumta të liqeneve detare, ku nga veprimtaritë ekonomike mund të veçojmë peshkimin.
Kisha e Marmiroit në Orikum Kalaja e Gjon Boçarit në Tragjas ndodhet pranë rrugës atomobilistike. Është ndërtuar në shekullin e XVII-të dhe ka një formë klasike katrore e pajisur me dy kulla. Funksioni I saj ishte ruajtja e rrugës Vlorë-Himarë.
Zvërneci është një nga zonat turistike të Vlorës. Këtu ndodhet Triporti një bukuri natyrore e paeksploruar nga vizitorët. Në vitet 1970 arkeologu Vasil Bereti kreu këtu disa fushata gërmimesh, ku dolën në dritë porti detar, disa mure rrethuese, disa ndërtesa, karkasën e një anijeje dhe qeramika të ndryshme.
Manastiri i Zvërnecit ndodhet në një nga dy ishujt e lagunës së Nartës. Kisha ndodhet në ishullin më të madh i cili lidhet me bregun nga një urë druri me gjatësi prej 200 m. Ajo i përket shekullit të XII-të dhe ka shërbyer edhe si mauzoleum, sepse brenda saj ndodhet varri i gjeneralit bizantin Argjiro Karanxhas, varrosur këtu në shekullin e XI-të. Në varrezën e këtij manastiri ndodhet që nga viti 1932 varri i qëndistares së flamurit Marigo Pozios.
Laguna e Nartës me sipërfaqe 45 km2 është liqeni i dytë detar për nga madhësia në Shqipëri. Veçori e saj është numri i madh i shpendëve dhe peshqve që jetojnë në të. Prej disa shekujsh këtu jeton edhe një koloni pelikanësh. Edhe sot në këtë lagunë ruhet tradita e peshkimit me varka druri. Në kodrat përreth peshkatarët nartiotë kanë treguar se janë kultivues të famshëm edhe të vreshtarisë, e cila prodhon verën e njohur të Nartës.
Në brendësi të territorit të Vlorës gjendet edhe qyteti ilir i Amantias, 35 km larg qytetit. Sot ai përbën një nga parqet më interesantë arkeologjikë të Shqipërisë, në të cilin ndodhen objekte unikalë siç është rasti i stadiumit të saj. Rrënojat e qytetit të dikurshëm ndodhen në një kodër me sipërfaqe prej 20 ha, e cila rrethohej nga një mur me perimetër prej 2100 m. Autorët antikë që japin të dhëna për amantët janë të shumtë. Njëri ndër ta Stefan Bizantini tregon se qyteti kishte si legjendë themelimin nga abantët e luftës së Trojës. Pavarëssht historive të shumta monumentet e Amantias si tempulli dorik i Afërditës, stadiumi, muret rrethues, bazilika, etj, përbëjnë një tur tërheqës për vizitorët.