
Vjosa Park Kombëtar, ekspertët i dorëzojnë qeverisë studimin e fizibilitetit
Qeveria ka tashmë studimin e fizibilitetit për projektin që parashikon kthimin e rrjedhës së lumit Vjosa në Park Kombëtar.
Ekspertë mjedisorë, të cilët kanë punuar muajt e fundit për të nxjerrë në pah të gjitha modalitetet e kësaj nisme, i kanë dorëzuar autoriteteve studimin që hedh një hap të rëndësishëm drejt mbrojtjes së lumit të fundit me rrjedhë të lirë në Evropë.
Lexo: Çfarë po bëhet me lumin Vjosa?
Studimi i fizibilitetit përfshin propozimin teknik për mbrojtjen e përhershme të lumit Vjosa dhe degëve të saj, sipas standardeve të nivelit të Kategorisë II të “International Union for Conservation of Nature”.
Në të detajohen mënyrat se si mund të mbrohen ekosistemet dhe biodiversiteti i basenit të Vjosës, kush mund të jenë kufijtë e parkut, cila do jetë struktura menaxhuese dhe paralelisht si mund të zhvillohet turizmi i gjelbër pa ndikuar negativisht në peizazh apo natyrë.
Hartimi i studimit u bë pas 6 muajsh punë intensive në terren nga një ekip prej më shumë se 30 ekspertësh të fushave të ndryshme.
Lexo: “Engona”, rrjeti i parë i organizatave mjedisore
Pjesë e grupit kanë qenë edhe përfaqësues të organizatave si EcoAlbania apo Patagonia, që u angazhuan prej vitesh në ndërgjegjësimin për të mbrojtur Vjosën.
Pas prezantimit të studimit të fizibilitetit po vijohet, për një periudhë njëmujore, me konsultime me publikun, ku qeveria pritet të organizojë takime me banorët dhe qytetarët e 12 bashkive ku shtrihet Vjosa – përfshirë Vlorën, Tepelenën dhe Gjirokastrën.
Propozimi për Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa, sipas standardit të nivelit të Kategorisë II të IUCN-së, pritet të shpallet në pranverën e vitit 2023.