Video me fjalë banale në TikTok, arrestohen gjyshja dhe babai që shfrytëzonin të miturin

Nënë e bir kanë nga Saranda përfunduar në prangat e policisë. Bëhet fjalë për Natasha Rombula 67 vjeçe dhe Armando Kumaraku 44 vjeç të cilët akuzohen se kanë shfrytëzuar nipin dhe djalin e një prej të arrestuarve për të përfituar në TikTok, përmes videove ku i mituri shfaqet me fjalë banale dhe denigruese.

Ka qenë nëna e 10 vjeçarit e cila para dy muajsh bëri kallëzimin në Polici. Pas hetimeve të kryera, policia arrestoi në Sarandë dy personat, pranë banesës ku jetonin.

Por Natasha Rombula dhe Armando Kumaraku nuk janë të panjohur për publikun shqiptar. Ata kanë dalë në televizor si dhe në rrjete sociale. Natasha Rombula u shfaq pasi kishte konflikte me ish-nusen, lidhur me kujdestarinë e 10-vjeçarit. 67-vjeçarja ka dalë edhe në video online teksa flet me fjalë të rënda për ish nusen e tij.

Njoftimi i Policisë:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë, pas kallëzimit të marrë në muajin dhjetor 2023, nga shtetasja E. A., se ish-bashkëshorti i saj dhe nëna e tij, postonin në rrjetin social TikTok, video ku shfaqej djali i saj i mitur 10 vjeç, duke përdorur fjalë denigruese dhe banale, menjëherë kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, e cila regjistroi procedimin penal për këtë rast. Si rezultat i hetimeve dy mujore me metoda proaktive, u bë shpallja në kërkim e shtetasve Armando Kumaraku dhe Natasha Rombula. Pas sigurimit të inteligjencës policore, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë, për vendndodhjen e këtyre 2 shtetasve, u organizua në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, operacioni policor i koduar “Shoë”.

Në kuadër të operacionit, u kapën në Sarandë, 2 shtetasit e shpallur në kërkim, të cilët më pas u shoqëruan në Komisariatin e Policisë Kuçovë, për veprime të mëtejshme procedurale. Në përfundim të veprimeve të kryera në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë kanë ndaluar shtetasit A. K., 44 vjeç dhe N. R., 67 vjeçe, të dy banues në Sarandë“, tha policia e Kuçovës në një njoftim për mediat.