
Video/ Kush është autori i dyshuar i sulmit në New York me 20 të plagosur
Policia e New York-ut të SHBA-ve e ka emëruar si ‘person me interes të lartë’, 62 vjeçarin Frank R James nga Filadelfia i cili qëlloi me armë në një stacion metroje, ku për pasojë 20 persona mbetën të plagosur.
Sipas mediave ndërkombëtare, 62 vjeçari kishte marrë me qira një furgon U-Haul të cilin e kishte mbushur me armë dhe që dyshohet të ketë qenë ai që ka kryer sulmin. Mediat si New York Times sjellin në vëmendje dhjetëra video që 62 vjeçari kishte postuar në mediat sociale vitet e fundit, në të cilat ai shpreh pikëpamje fanatike.
Kohët e fundit ai nuk kishte kursyer kritikat as për kryebashkiakun e New York, Eric Adams.
Në konferencën mbrëmjen e të martës, policia dha më shumë detaje duke treguar se 62 vjeçari kishte shpërthyer dy granata tymi, dhe ka qëlluar me armë gjysmë automatike tip Glock 8 mm në stacionin “36th Street” të Brooklyn.
Dyshohet që ai të ketë qëlluar të paktën 33 herë e duke plagosur 20 persona.
Pamjet nga vendi i ngjarjes treguan pasagjerë të gjakosur të shtrirë në dyshemenë e stacionit të mbushur me tym.
13 persona të tjerë pësuan lëndime të lidhura me tymin toksik, dëmtimin nga vrapimi ose sulm paniku.
Policia ka ofruar shpërblim me 50 mijë dollarë për këdo që ka informacion për 62 vjeçarin e dyshuar si autor të ngjarjes. Ndërkaq motivi i sulmit ende nuk dihet konkretisht.
*Tibo News.