Video/ Kryeministren e Finlandës e ‘kryqëzojnë’ pse shkoi në party

Kryeministrja finlandeze Sanna Marin, po përballet me reagime të ashpra, pasi qytetarët kanë parë një video teksa shihet duke festuar e duke kërcyer.

Nuk dihet se si videoja ka përfunduar në rrjetet sociale, por deputetë të partive opozitare kanë kërkuar që kryeministres t’i bëhet një test droge.

Pas zhurmës në rrjet, kryeministrja Marin, 36 vjeçe ka mohuar pretendimet për konsum të lëndëve narkotike. Ajo ka thënë se ka konsumuar vetëm alkool dhe se ka festuar ndoshta në mënyrë të zhurmshme.

Sanna Marin, si kryeministrja më e re në botë nuk e ka fshehur faktin se pëlqen jetën e natës dhe shpesh herë është fotografuar në festivale muzikore.

Vitin e kaluar ajo kërkoi falje pasi shkoi në një klub me muzikë dhe ra në kontakt me një person të infektuar me Covid-19.

Javën e kaluar Marin u etiketua si “kryeministrja më e lezetshme në botë” nga gazeta gjermane Bild.

Duke komentuar videon të enjten, ajo tha se e dinte se po filmohej, por nuk fshehu mërzitinë që kjo video është bërë virale.

“Kam kërcyer, kënduar dhe festuar – gjëra krejtësisht të ligjshme. Dhe nuk kam qenë kurrë në një situatë ku kam parë ose njohur të tjerë duke përdorur drogë. Unë kam një jetë familjare, kam një jetë pune dhe kam kohë të lirë për të kaluar me miqtë e mi. Pothuajse njësoj si shumë njerëz të moshës sime.”

Politikania tha se nuk ndjente nevojë të ndryshonte sjelljen e saj. “Do të jem saktësisht i njëjti person siç kam qenë deri më tani dhe shpresoj se do të pranohem”.

Sanna Marin është në pushtet që nga dhjetori 2019 dhe ruan mbështetjen e partisë së saj.

*Tibo News