Vetëvrasja e 41-vjeçares në Durrës, arrestohet bashkëshorti i saj

Bashkëshorti i 41-vjeçares që u vetëvra duke pirë fotoksinë në Durrës është arrestuar nga policia. Nga hetimet ka rezultuar se 45-vjeçari, Xhemal Loka ka ushtruar dhunë psikologjike të vazhdueshme ndaj gruas së tij.

Ai ishte kthyer nga Greqia dhe e kishte kërcënuar për ta vrarë me thikë, në prezencë të njërit prej fëmijëve. Pas kontrolleve të kryera në banesë,  Policia e Durrësit gjeti një automatik tip “Sharrs”, një krehër dhe një sasi municioni luftarak.

Për këtë rast, Bedrie Loka nuk ka bërë kallëzim në polici. Gjithashtu, specialistët për hetimin e krimeve kanë sekuestruar celularin e 45-vjeçarit, i cili e kishte fshehur atë, dhe nuk ka bashkëpunuar me Policinë.

Ky celular, bashkë me celularin e së ndjerës janë dërguar për ekspertimin me qëllim gjetjen e provave për dokumentimin e rrethanave dhe shkakut të ngjarjes.