Vetëvrasja e 41-vjeçares, dyshohet se burri i saj ka patur lidhje jashtë martese

Vetëvrasja e 41 vjeçares Bedrie Loka 8 ditë më parë ka tronditur opinionin publik shqiptar, ndërsa i akuzuar është bashkëshorti i saj pasi dyshohet se e ka çuar nënën e 4 fëmijëve drejt vetëflijimit.

Kujtojmë se fillimisht u raportua se e ndjera e kishte përjetuar shumë keq emocionalisht denigrimin që i ishte bërë në rrjete sociale, por më pas ngjarja mori kthesë tjetër.

Në lidhje me ngjarjen janë publikuar nga mediat të tjera detaje. Flitet se vajza e 41 vjeçares ka dëshmuar në prokurori ku ka treguar se babai i saj Xhemal Loka ka patur një lidhje jashtëmartesore.

Pjesë nga deklarata e vajzës para prokurorëve:

“Diku nga muaji Shtator 2023 mami i ka gjetur babit disa letra në gjuhën franceze të cilat ja ka dërguar një femër. Ajo ishte një franceze dhe ka komunikuar me vëllain tim. Kjo ka qenë një arsye që e ka vrarë shumë psikologjikisht mamin tim”.

Ende nuk është vërtetuar, megjithatë ky detaj shton dyshimet se ishte bashkëshorti ai që e çoi Bedrie Lokën drejt vetëvrasjes.

Xhemal Loka dolki ditën e sotme para gjykatës së Durrësit për t’u njohur me masën e sigurisë. Ai u arrestua pas vetëvrasjes së bashkëshortes së tij 41-vjeçare Bedrie Loka.

Prokuroria e akuzon 45-vjeçarin për shkaktim të vetëvrasjes, por edhe armëmbajtje pa leje. Ai i mohon akuzat dhe pretendon se bashkëshortja u vetëvra për shkak të bullizmit në rrjetin social TikTok.

Pritet që detaje të tjera të dalin në dritë deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes.