Vetëm në 3 qarqe të Shqipërisë ka patur shtesë popullsie

9 nga 12 qarqe të vendit po vijojnë të humbasin popullsi edhe për shkak të lëvizjeve të qytetarëve nga njëri qytet në tjetrin. Sipas një raporti të INSTAT, në vitin 2022 shumica e qarqeve kanë pasur më shumë të larguar sesa të ardhur. Vetëm Tirana, Durrësi dhe Vlora kanë njohur migrim të brendshëm neto pozitiv, pra kanë pritur më shumë qytetarë sesa janë larguar prej tyre.

“Dukuria e përqendrimit të popullatës kryesisht në kryeqytet dhe në kryeqendrat urbane të vendit është e shpjegueshme me mundësitë që ofrojnë këto zona veçanërisht për punësim dhe oferta të tjera të jetës kulturore dhe shoqërore.”

Përveç Tiranës, po preferohet për të jetuar edhe Durrësi dhe Vlora. Në 2022-in më pak qytetarë janë larguar prej tyre.

“Durrësi dhe Vlora janë shndërruar në të vërtetë në epiqendra të turizmit dhe si të tilla janë mjaft më joshëse për qytetarët sesa kanë qenë dikur. Duke mos përjashtuar edhe faktin se po në këto dy qytete veçanërisht përqendrohen edhe të huajt që vijnë në vendin tonë për jetën e tyre.”

Sociologët sugjerojnë më tepër politika motivuese në mënyrë që të rinjtë të rikthehen për të jetuar në vendlindje.

“Këtu kryesisht janë politikat e investimit ose nisma fillestare për të krijuar një biznes fillestar, nisma për familjet e reja, mbi të gjitha për promovimin e qarqeve që kanë potenciale.”

Dibra, Elbasani dhe Fieri janë tre qarqet që kanë përjetuar më shumë largime të qytetarëve drejt një qyteti tjetër sesa kanë pritur për vitin 2022.