
Vetëm 9% e plastikës riciklohet në botë
Më pak se 10% e plastikës së përdorur në mbarë botën riciklohet, tha të martën OECD (Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik), duke bërë thirrje për zgjidhje të koordinuara dhe globale përpara bisedimeve të pritshme për një traktat ndërkombëtar në lidhje me plastikën.
Një raport i ri i organizatës tregoi se 460 milionë tonë plastikë u përdorën në vitin 2019, gati dyfishi që nga viti 2000. Sasia e mbetjeve plastike është gjithashtu më shumë se dyfishuar gjatë asaj kohe në 353 milionë tonë.
“Vetëm 9% e mbetjeve plastike u ricikluan, ndërsa 19% u djegën dhe pothuajse 50% shkuan në landfille sanitare”, shkruhej në raportin e OECD. “Pjesa e mbetur prej 22% u hodh në deponi të pakontrolluara, u dogj në gropa të hapura ose u derdh në ujëra dhe mjedise te tjera.”
Gjatë pandemisë se COVID-19, përdorimi i plastikës ra me 2.2% në 2020 krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, plastika njëpërdorimshe u rrit dhe përdorimi i përgjithshëm parashikohet të rritet përsëri ndërsa ekonomia rimëkëmbet.
Plastika kontribuoi në 3.4% të emetimeve globale të gazrave serë në 2019, 90% e tyre nga prodhimi dhe konvertimi i lëndëve djegëse fosile, thuhej në raport.
OECD ofroi një seri propozimesh për të adresuar këtë çështje, duke përfshirë zhvillimin e tregut për plastika të ricikluara, i cili përfaqëson vetëm 6% të totalit, kryesisht për shkak se ato janë më të shtrenjta.
Teknologjitë e reja që lidhen me uljen e gjurmës mjedisore të plastikës përfaqësonin vetëm 1.2% të të gjithë inovacionit në lidhje me produktin.
Ndërsa bëri thirrje për politika që të frenojnë konsumin e përgjithshëm, OECD propozoi gjithashtu investime të mëdha në infrastrukturën bazë të menaxhimit të mbetjeve. Propozimi i tyre parashikonte 25 miliardë euro në vit që shkon drejt përpjekjeve në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.