
Vendimi i BE-së, të gjitha telefonat të kenë karikues të njëjtë
Bashkimi Europian ka vendosur që t’u diktojë kompanive të prodhimit të celularëve që të prodhojnë fishe të ngjashme të karikimit, duke i dhënë kështu fund diferencimeve në këtë kategori.
Ky është vendimi i parë i këtij tipi në botën e teknologjisë dhe sipas Brukselit bëhet për t’u kursyer konsumatorëve deri në 250 milionë euro në vit blerje kabujsh karikuesi, që zakonisht variojnë nga modeli në model.
Ndryshimi u propozua nga eurodeputeti Alex Saliba, i cili tha se u shty nga zhgënjimi i shprehur hapur nga konsumatorët europian për shpenzime dhe kosto shtesë për modelet e reja të pajisjeve celulare.
Më së shumti ankesat kanë ardhur nga përdoruesit e modeleve iPhone dhe Android. Shumica e telefonave të tyre përdorin koka, apo porta të ndryshme, androidet përdorin forma USB-je, ndërsa Apple favorizon kabllot e quajtur “Lightning”.
Vendimi i BE-së pritet të sjellë reagime nga kompania amerikane Apple, që tanimë do të duhet të ndryshojë versionet e reja të telefonëve me porta të ngjashme si modelet e tjera.
Në Bruksel mendojnë se ky vendim do të uli ndjeshëm edhe prodhimin e mbetjeve, pasi konsumatorët e celularëve mund të përdorin edhe karikues të vjetër. Sipas përllogaritjeve mendohet se prej këtij vendimi mund të reduktohen deri në 1 mijë tonë mbetje elektronike në vit.
Vendimi pritet të hyjë në fuqi në vjeshtën e vitit 2024 duke diktuar që të gjithë karikuesit me USB-C të kenë të njëjtin standard. Rregullorja e re prek edhe sektorin e prodhimit të kamerave digjitale.
Kështu për karikuesit e rinj do të preken edhe kompanitë si Samsung, Huawei apo Fuji. BE-ja do të ketë gjithashtu fuqinë për të vepruar ngjashëm edhe për karikuesit me wireless, të cilët po fitojnë shpejt popullaritet.