Vendet me eksportet më të mëdha të armëve në botë

Në një artikull të publikuar nga Instituti Kërkimor për Paqen në Stokholm për eksportin e armëve, rezulton se SHBA mbetet vendi me eksportet më të mëdha të armatimeve në botë.

Mes viteteve 2017-2021 shitjet në Amerikë përbënin 38.6 për qind të shitjeve ndërkombëtare të armëve, duke shënuar kështu një rritje krahasuar me periudhën 2012-2016 kur ishte vetëm 32.2 për qind.  Gjatë katër viteve të fundit, SHBA ka furnizuar me armë më shumë se 100 vende sipas të dhënave të ‘Statista’.

Ndërsa Rusia mbetet në vend të dytë me 18.6% për periudhën 2017-2021, duke pësuar rënie në krahasim me 2012-2016 kur ishte 24.1%. Blerësja më e madhe nga Rusia është India, e ndjekur nga Kina, që vitet e fundit kanë blerë gjithë e më pak armë nga Moska. Blerjet kanë rënë dhe nga Algjeria dhe Egjipti. Kina aktualisht renditet e katërta në botë, ndjekur nga Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Koreja e Jugut.

Sa i përket Europës, Franca vazhdon të rrisë eksportin e armëve, kurse ndikimi i Gjermanisë në tregtinë e armëve është në rënie.  Italia ka si partner kryesor Egjiptin, por në 2021 shitjet janë rritur më shumë në Katar, Turqi dhe Kuvajt. Kurse në rastin e Koresë së Jugut, shumica e shitjeve janë në Indonezi.