Vendet anëtare të BE-së arrijnë një marrëveshje për ligjet që mbrojnë klimën

Shtetet anëtare të Bashkimit Europian arritën një marrëveshje që lidhet me rrugën për t’u bërë neutral ndaj karbonit deri në vitin 2050.

Ministrave të mjedisit të mbledhur në Luksemburg iu deshën rreth 17 orë për të arritur kompromise mbi pesë ligje që janë pjesë e paketës Fit for 55 të bllokut që synon të reduktojë emetimet e gazeve serrë me të paktën 55% deri në vitin 2030 krahasuar me nivelet e viteve 1990.

Masat për të cilat ata ranë dakord ishin në lidhje me sistemin e tregtimit të emetimeve të BE-së, emetimet dhe heqjet nga përdorimi i tokës, ndryshimi i përdorimit të tokës dhe pylltaria, krijimi i një fondi për klimën sociale (SCF) dhe standardet e reja të performancës së emetimeve të CO2 për makinat dhe furgonat.

Ndër masat më efikase janë shtimi i transportit detar në sistemin e tregtimit të emetimeve të BE-së (ETS), krijimi i një sistemi të ri e të veçantë të tregtimit të emetimeve për sektorët e ndërtesave dhe transportit rrugor, 59 miliardë euro të alokuara për SCF, objektivi i përgjithshëm për të hequr 310 milion ton ekuivalent CO2 duke përmirësuar përdorimin e tokës dhe pylltarisë dhe përfundimin e shitjes së makinave me motorë me djegie deri në vitin 2035.

Tashmë, Parlamenti Evropian duhet t’i mbështesë këto ligje. Eurodeputetët kanë miratuar tashmë një ndalim për shitjen e makinave dhe furgonëve me motorë me djegie pas vitit 2035, por masat e tjera mund të rezultojnë më të vështira për ta miratuar siç janë hartuar.

Por aktivistët e klimës thonë se ministrat nuk ia dolën mbanë. Ata akuzuan ministrat se hodhën poshtë propozimet fillestare të Komisionit, për të arritur objektivin 1.5°C nën Marrëveshjen e Parisit.

*Tibo News