Veliaj vlerëson policinë me rastin e përvjetorit të formimit

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj uroi të enjten punonjësit e policisë me rastin e përvjetorit të formimit të tyre. Në një ceremoni të zhvilluar nga Drejtoria e Policisë Vendore të Tiranës, ku ishin prezent drejtues të forcave të rendit, Veliaj shprehu mirënjohjen për çdo punonjës të policisë.

“Shumë faleminderit për shërbimin dinjitoz që i bëni qytetit dhe vendit tonë. Në emër të të gjithë qytetarëve të Tiranës, ju them gëzuar festën! Jemi jashtëzakonisht krenarë për secilin prej jush, për sakrificën që bëni, jo vetëm në punë, por ndaj familjeve tuaja ku mungoni, jam i sigurt, me orë të gjata. Fakti që ky qytet sot nga Eurostat-i cilësohet si një nga qytetet më të sigurta në Europë është meritë e Policisë së Shtetit, djemve dhe vajzave që shërbejnë nën uniformë dhe e bëjnë këtë qytet më të sigurt çdo ditë. Ndaj, dua që ky qytet, në këtë ditë, të kujtojë policët e rënë, të kujtojë ata që sakrifikojnë përditë, ata që lënë familjet me ditë të tëra, ata që shërbejnë për ditën e Vitit të Ri, për ditët e festave, për fundjavat ku shumica pushojnë, është një sakrificë që qyteti duhet ta dijë dhe duhet të tregojë mirënjohje,” u shpreh Veliaj.

Kryetari i Bashkisë Tiranë solli në vëmendje faktin se këtë vit Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë. Ai tha se fatmirësisht një pjesë e stereotipeve mbi Shqipërinë janë zhbërë dhe me këtë nismë të këtij viti mund të zhbëhen edhe më tej.

“Do të vijnë pafund delegacione, kryetarë bashkish, kryeministra, presidentë, shumë autoritete të larta të Europës, por edhe turistë, për të parë me sytë e tyre që ky është një vend i sigurt, pasi Policia e Shtetit është ndër më profesionalet në rajon,” tha Veliaj.

Veliaj vlerësoi edhe faktin se policia e sotme është pastruar nga pjesëtarë problematikë, apo të inkriminuar ai e mbylli fjalën e tij duke thënë se proporcionalisht me rritjen e Tiranës po rriten edhe nevojat për punonjës policie në kryeqytet.

Policia e Shtetit u formua më 13 janar të vitit 1913 nga qeveria e përkohshme e Vlorës, e cila asokohe kërkoi angazhimin fillimisht vullnetar të njerëzve për t’i besuar rendin.