Veliaj ngre padi ndaj Ilir Shulkut dhe Ardian Haçit nga FSHF

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka paditur këtë të martë për shpërdorim detyre, falsifikim të dokumenteve dhe rrjetit kompjuterik dy nga zyrtarët në Federatën Shqiptare të Futbollit.

Erion Veliaj ka bërë me dije se ka paditur Ilir Shulkun, me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Ardian Haçin, me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Rajonale të Futbollit, Tiranë. Veliaj i akuzon se kanë manipuluar zgjedhjet për Kreun e Shoqatës.

Në deklaratën për shtyp, Veliaj renditi një sërë shkeljesh, teksa theksoi se qëllimi ishte ndikimi dhe paracaktimi i rezultatit të zgjedhjes së kreut të Shoqatës, për interesa të Armand Dukës,  kreut aktual të FSHF-së.

Veliaj: “Në listën jo të plotë dhe të manipuluar, të vënë në dispozicion para pak kohësh, anëtarëve të shoqatës me justifikimin për thirrjen e mbledhjes së delegatëve. Ka informacione që në mbledhjen e datës 24.01.2022 të orës 15 të Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, me telefon nga Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit Ilir Shulku është kërkuar e kanë marrë pjesë në këtë mbledhje persona që nuk kanë asnjë lloj lidhje me shoqatën në kundërshtim të plotë me statutin e federatës që përcakton që delegatët duhet të jenë punonjës të anëtarëve të Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë”.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se Komisioni i Verifikimit nuk ka bërë identifikimin e plotë të delegatëve me të drejtë vote.

Në cilësinë e aksionerit të Klubit të Futbollit Tirana, kryebashkiaku kërkon kryerjen e hetimeve  nga Prokuroria në lidhje me zbardhjen e listës së delegatëve pjesëmarrës në mbledhjen e zhvilluar të 24 Janarit  për zgjedhjen e Kreut të Shoqatës dhe mbledhjen e provave.

Veliaj ka deklaruar hapur synimin e tij për të pastruar sportin. Si një nga aksionerët e klubit të futbollit Tirana, kryetar i Bashkisë ka kërkuar që të ketë transparencë në zgjedhjen e kryetarit të shoqatës së futbollit të Tiranës e po ashtu në zgjedhjet për presidentin e FSHF, që do të mbahen në mars.

Ai ka ngritur pretendime se kryetari aktual, Armand Duka, ka abuzuar më postin e tij ndër vite.

Veliaj paralajmëron kallëzime për dy zyrtarë të FSHF-së