Veliaj: Kemi një projekt me rëndësi për 3 linja autobusësh

”Bus Rapid Transit”,  quhet projekti për Tiranën, që për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj do mundësojë linja më të shpejta të autobusëve. Veliaj ka treguar se:

“Akset e autobusëve shkojnë në qendër të aksit të rrugës dhe jo në periferi. Kjo do të thotë që shmangin të gjithë çarjet e rrugës për t’u kthyer nëpër lagje, pra ka një korsi të dedikuar. Është diçka që është aplikuar në shumë vende të botës dhe diçka për të cilën për herë të parë Bashkia e Tiranës ka marrë grantin më të madh dhe kredinë më të madhe në historinë e vet. Është një miks 30 mln grante e 50 mln kredi nga BE dhe qeveria gjermane. Jemi bashkia e vetme në Ballkan që i është dhënë kaq shumë besim, sigurisht duke provuar që financat tona janë të shëndosha dhe në afatgjatë mund t’i paguajmë këto kredi. Besoj që për këto 3 linja që kanë shumicën e trafikut, siç është Kinostudio-Kombinat, siç është Unaza dhe gjithë linja e Tiranës së Re ku është mbi 70% e volumit të trafikut. Praktikisht do përgjysmohet koha dhe do dyfishohet shpejtësia për të bërë këto linja.”

Kryebashkiaku  Veliaj u ndal edhe tek shkollat ku tha se mësimi me dy turne ka marrë fund, duke sqaruar se e vetmja shkollë që i kanë mbetur disa klasa me dy turne, do zgjidhet shumë shpejt me ndërtimin e dy shkollave të reja. Por a mund të kemi transport publik falas dhe një nënkalim te Sheshi Skënderbej? Veliaj thotë:

E sigurt që nuk do të çahet sheshi Skënderbej, ndryshe nuk do kishim panairin dhe Ditën e Verës. E kemi provuar në çdo sondazh, 90% e njerëzve e duan sheshin, duan të kenë një ambjent festiv, një vend ku të mblidhen për të parë ndeshjet e futbollit dhe jo një tunel me makinat që nxjerrin tymin lart. Është ide trashanike dhe u pagua shtrenjt nga kundërshtarët tanë. Ndërsa transporti falas është një ide që nuk ka funksionuar”.