
Vdekjet e të famshmëve në Kinë ngjallin frikë mbi Covid
Numri në rritje i figurave publike kineze, vdekjet e të cilëve po bëhen publike, po i shtyn njerëzit të vënë në dyshim numrin zyrtar të vdekjeve nga Covid.
Vdekja e Chu Lanlan këngëtare e operas 40-vjeçe në muajin e kaluar ishte një tronditje për shumë njerëz, duke pasur parasysh sa e re ishte.
Familja e saj tha se ishin të pikëlluar për “largimin e papritur” të saj, por nuk dhanë detaje për shkakun e vdekjes.
Kina hoqi politikën e rreptë zero-Covid në dhjetor dhe ka parë një rritje të shpejtë të infeksioneve dhe vdekjeve. Ka raporte se spitalet dhe krematoriumet janë mbingarkuar.
Por vendi ka ndaluar publikimin e të dhënave të rasteve ditore dhe ka njoftuar vetëm 22 vdekje nga Covid që nga dhjetori, duke përdorur kriteret e veta strikte.
Tani numërohen vetëm ata që vdesin nga sëmundjet e frymëmarrjes si pneumonia.
Të mërkurën Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi se Kina po nënpërfaqësonte ndikimin e vërtetë të Covid në vend, veçanërisht vdekjet. Por vdekja e Chu Lanhan dhe të tjerëve, po ndez spekulime për humbje më të mëdha se ato të raportuara në llogaritë zyrtare.
Në ditën e Vitit të Ri, lajmi për vdekjen e aktorit Gong Jintang hidhëroi shumë përdorues kinezë të internetit.
Gong, 83 vjeç, ishte i njohur për performancën e tij në serialin më të gjatë televiziv në vend, Vjehrri, Jashtë ligjit. Portreti i tij i At Kang kishte mahnitur fansat për më shumë se dy dekada që kur shfaqja u transmetua për herë të parë në vitin 2000.
Shkaku i vdekjes së tij është i paqartë, por shumë përdorues të mediave sociale e lidhën atë me vdekjet e fundit të të moshuarve të tjerë.
Skenaristi i mirënjohur Ni Zhen ishte gjithashtu mes viktimave të kohëve të fundit. 84-vjeçari ishte i famshëm për punën e tij në filmin “Rise the Red Lantern” i vitit 1991, i cili konsiderohet gjerësisht si një nga filmat më të mirë kinezë nga kritikët.
Ndërkohë Hu Fuming, një ish-gazetar dhe profesor në pension vdiq më 2 janar në moshën 87-vjeçare.
Sipas të dhënave nga mediat kineze, 16 shkencëtarë nga akademitë më të larta të shkencës dhe inxhinierisë së vendit vdiqën midis 21 dhe 26 dhjetorit.
Asnjë nga këto vdekje nuk ishte e lidhur me Covid në nekrologjitë e tyre, por kjo nuk i ka penguar spekulimet në internet.
*Tibo News