
Vdekja tragjike e sulmuesit të Egnatias, ekipet shqiptare shprehin ngushëllimet e tyre
Të gjitha ekipiet shqiptare kanë shprehur ngushëllimet e tyre për vdekjen tragjike të sulmuesit të Egnatias, Raphael Dwamena.
Mesazhet e ngushëllimit kanë nisur nga ekipi i Partizanit, pasi sfida e Egnatias luhej përballë “Demave të Kuq”.
“Klubi Partizani, Presidenti Demi dhe gjithë familja e kuqe shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe Klubit të Egnatias për ndarjen nga jeta të sulmuesit Raphael Dwamena. Bashkohemi me dhimbjen tuaj në këtë moment tragjik për të gjithë futbollin shqiptar” – shkruan klubi i Partizanit.
Sulmuesi humbi ndjenjat në fushë, ndërsa u transportua me urgjencë drejt spitalit të Kavajës, por mjekët konfirmuan vdekjen e tij.
Po ashtu dhe ekipi i Tiranës ka shprehur ngushëllimet për humbjen e talentit 28-vjeçar.
“Prehu në paqe Raphael Dwamena!
Klubi i Futbollit Tirana i shpreh tronditjen e thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta familjes Dwamena për ndarjen e parakohshme nga jeta të sulmuesit të KF Egnatia. Kjo është një ngjarje që ka shokuar të gjithë komunitetin e futbollit shqiptar!
I paharruar qoftë kujtimi i tij”, thuhet në mesazhin e Tiranës.