Vdekja e liderit opozitar Alexei Navalny në Rusi, reagon Rama dhe Berisha

Lideri opozitar Alexei Navalny humbi jetën këtë të premte në një burg të Rusisë, ku vuante dënimin prej tre vitesh. E gjithë bota po reagon duke fajësuar presidentin rus për arrestimin e të ndjerit nga regjimi rus, e ndërsa ka reaguar edhe kryeminstri i vendit Edi Rama.

Në një reagim në rrjetet sociale Rama shprehet se kjo tragjedi nënvizon rëndësinë e unitetit dhe vendosmërisë aleate.

Konferenca e Sigurisë së Mynihut është një moment i përshtatshëm për të theksuar rëndësinë e përpjekjeve kolektive, veçanërisht midis aleatëve të NATO-s, thotë mes të tjerash Rama.

Statusi:

“Qëndroj me Presidentin Biden dhe liderët e tjerë aleatë për të nderuar sakrificën e fundit të Alexei Navalny. Kjo tragjedi nënvizon rëndësinë e unitetit dhe vendosmërisë aleate. Konferenca e Sigurisë së Mynihut është një moment i përshtatshëm për të theksuar rëndësinë e përpjekjeve kolektive, veçanërisht midis aleatëve të NATO-s. Ne të gjithë duhet të ndajmë përgjegjësinë për të mbrojtur parimet të NATO-s dhe ndërkohë që përballemi me sfida komplekse, nuk duhet të hezitojmë të shkojmë përtej. Angazhimi 2% është kërkesa minimale, jo maksimumi. Shqipëria mbetet e angazhuar për të bashkëpunuar me partnerët tanë për të forcuar aftësitë tona mbrojtëse, duke përfshirë rigjallërimin e industrisë sonë ushtarake”.

Presidenti amerikan Joe Biden bëri përgjegjës për vdekjen e 47-vjeçarit, presidentin rus Vladimir Putin ku shprehej s Putini nuk synon vetëm qytetarët e vendeve të tjera, siç e kemi parë në atë që po ndodh në Ukrainë tani, ai gjithashtu kryen krime të tmerrshme ndaj popullit të tij.

Edhe zyrtarë të tjerë të lartë në perëndim si kancelari gjerman, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, krerët e 3 institucioneve drejtuese të Bashkimit Europian, si dhe presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski akuzojnë Putin.

Sipas mediave ruse, Navalny 47 vjeç ndërroi jetë në koloninë penale të Jamalo Njenjets, në veri të rajonit federal të Uraleve, pas përfundimit të shëtitjes së tij të ajrimit.

Dyshimet e para janë që Navalny të ketë ndërruar jetë nga një ishemi, por zyrtarët në Moskë thanë se për momentin nuk kishin asnjë ide për shkaqet e vdekjes së tij.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe Berisha. Berisha e quajti Navalnyn luftëtarë të lirisë dhe frymëzim për të gjithë ata që luftojnë kundër diktaturave dhe regjimeve putiniste.

‘Të dashur qytetare dhe qytetarë, qëndrestare dhe qëndrestarë, misionarë të vërtetë të dinjitetit njerëzor, të guximit, kurajos, misionarë të shpresës dhe të ardhmes tonë. Një përshëndetje të përzemërt ju dhe mbarë qytetarëve shqiptarë që shohin 20 shkurtin si ditën e ngadhënjimit, si ditën e triumfit të dinjitetit të qytetarit shqiptar, triumfit të Shqipërisë dhe kombit tonë. Në këtë fjalë dua të shpreh nderimin tim më të thellë për veprën e pavdekshme të disidentit, opozitarit të pamposhtur ndaj regjimit diktatorial, barbar të Vladimir Putinit, Aleksej Navalnyt. Për çdo njeri që lufton për liri dhe dinjitet, Navalny do të mbetet frymëzimi i tij. Ai kaloi jo njëherë, por disa herë nga vdekja në vdekje dhe kurrë nuk pushoi së luftuari kundër diktatorit mizor dhe regjimit të tij. Ndaj dhe ju ftoj ju luftëtarë të lirisë, ta nderojmë me 1 minutë heshtje këtë luftëtarë të lirisë, frymëzim për të gjithë ata që luftojnë kundër diktaturave, regjimeve putiniste kudo që ndodhen’.