
Vdekja e 3 vjeçarit që tronditi vendin, dentisti Roland Xhaxho: Doli i zgjuar nga klinika
Vdekja e një fëmije të mitur 3 vjeç në një klinikë dentare në Tiranë ka tronditur mbarë opinionin publik. Prindërit e të miturit e kanë denoncuar klinikën në pronësi të Roland Xhaxhos ku fëmija ishte dërguar.
Ky i fundit vendosi të dalë para mediave dhe teksa i shpreh familjes ngushëllimet për humbjen e fëmijës thotë se nuk është shkaktari i vdekjes së të miturit duke theksuar se ka punuar si anestezist reanimator prej më shumë se 40 vjetësh.
Ai ka treguar se i mituri kreu në klinikë të gjitha procedurat nën anestezi të përgjithshme dhe se për këtë prindërit ishin në dijeni, teksa kanë firmosur edhe konsensusin. Sipas tij kjo mënyrë e trajtimit u zgjodh për shkak të një defekti në zemër të djalit ku i ishte nënshtruar edhe një ndërhyrjeje para rreth 2 viteve.
Roland Xhaxho:
“Djali ka lindur me defekt në zemër, për të cilin është operuar rreth dy vite më parë. Rekomandimi kryesor në këto raste është evitimi i çdo vatër infeksioni tek këta fëmijë sepse shkaktojnë infeksione të rënda në zemër. Në këtë rast fëmija kishte infeksione të dhëmbëve të cilat në mënyrë absolute duheshin kuruar brenda një seancë në mënyrë që të evitohej përhapja e infeksioneve”.
Sipas mjekut, procedura ka qenë e zakonshme, një procedurë rutinë sipas të gjitha protokolleve dhe pa asnjë problematikë të veçantë.
“Djali ka dalë nga klinika i zgjuar në krahët e babait të tij duke kërkuar të takonte vëllain më të vogël. Në shtëpi, djalit i janë dhënë ilaçet e rekomanduara nga ne, kështu që fëmija patjetër që ka qenë i zgjuar”, deklaron mjeku.
Sipas mjekut, gjendja është komplikuar kur fëmija ka qenë në shtëpi dhe më pas është dërguar në ambientet e QSUT-së nga prindërit.
“Këtë informacion ma bëri të ditur personalisht gjyshi i djalit, i cili erdhi më takoi në klinikë në orën 12:00 të natës”, është shprehur mjeku.
Xhaxho shprehet se sapo është informuar për këtë, ka kontaktuar me kolegët e QSUT dhe me kërkesë të familjarëve ka qenë duke i asistuar ata.
“Gjendja e tij shëndetësore u përmirësua ndjeshëm në 24 orët e para, por më pas fatkeqësisht është rënduar, pavarësisht përpjekjeve të pafundme. Unë nga ana profesionale kam bërë çdo gjë të mundur edhe në QSUT bashkë me kolegët e mi, për të shpëtuar jetën e fëmijës”.
Më vjen sinqerisht keq për djalin, më dhemb zemra sidomos për ata prindër që nuk do e kenë më, por nga ana ime profesionale garantoj që ka qenë në maksimum në çdo moment”, shprehet ai.
Mjeku thotë se çdo hipotezë lidhur me gjendjen e fëmijës gjatë anestezisë dhe procedurës dentare është e pajustifikuar.
Mirëpo prindërit dyshojnë se fëmijës i është injektuar një dozë e lartë narkoze në klinikën dentare. Ata kanë deklaruar në polici se pasi mjeku i ka bërë grafinë, u ka thënë prindërve se fëmijës duhet t’i rregullohen 13-14 dhëmbë. Dhe për këtë shkak, është vendosur të ndërhyhet me narkozë totale. Pasi ka përfunduar ndërhyrja, fëmija nuk është zgjuar.
Prindërit kanë deklaruear në polici se mjeku informoi prindërit që ta merrnin fëmijën në banesë me argumentin se 3-vjeçari do të zgjohej nga anestezia. Por i mituri sipas prindërve nuk ka dhënë shenja reagimi as në shtëpi. Në këtë moment, prindërit tregojnë se telefonuan klinikën dhe sipas tyre askush nuk iu është përgjigjur në telefon.3-vjeçari u dërgua në pavijonin e Pediatrisë, në gjendje kome ku ka qëndruar 2 ditë dhe ka ndërruar jetë.
Policia ka kryer veprimet e para duke marrë në pyetje mjekun dhe stafin e klinikës. Rasti është referuar në prokurori për vepër penale “Neglizhencë në Mjekim”, e cila konsiderohet sipas Kodit Penal si kundravajtje penale dhe jo vepër penale. Policia dhe prokuroria po presin autopsinë e 3-vjeçarit për të vijuar me veprime të tjera.