Vazhdojnë protestat nëpër muze

Dy aktivistë të klimës kanë vazhduar protestat e tyre me dy pikturat e mjeshtrit spanjoll Francisco Goya në një muze në Madrid. Protesta në muzeun Prado, në të cilën të dy protestuesit vendosën duart në korniza, nuk dëmtoi asnjërën pikturë, por shkaktoi njolla të lehta në kornizat e tyre. Të dy aktivistët u arrestuan pas incidentit.

Ata shkruajtën “+1,5°C” në murin midis dy veprave të artit, që kishte lidhje me objektivin e Marrëveshjes së Parisit për të kufizuar ngrohjen në 1.5 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale.
Në një postim në Twitter, në faqen zyrtare të muzeut Prado thuhej : “Ne dënojmë protestën që u zhvillua në muze. Punimet nuk janë dëmtuar por kornizat kanë pësuar defekte të lehta. Ne po punojmë për t’u kthyer në normalitet sa më shpejt të jetë e mundur. Ne refuzojmë rrezikimin e trashëgimisë kulturore si mjet proteste.”
Grupi aktivist i klimës Extinction Rebellion postoi një video në internet që tregonte dy aktivistët me një dorë të fiksuar në një pikturë përpara se përgjegjësit e sigurisë së muzeut të hynin brenda.
Grupi tha se dy veprat e artit në fjalë ishin “The Naked Maja” dhe “The Clothed Maja”.

Sipas grupit protestues, aksioni ishte një protestë përballë rritjes së temperaturave botërore, të cilat do të provokojnë një klimë të paqëndrueshme me pasoja të rënda për të gjithë planetin.
Ky është rasti i fundit, por jo i pari pasi protesta të ngjashme nga aktivistë të klimës që synojnë vepra arti të famshme në qytetet evropiane kanë ndodhur dhe më parë.