Vaksina HPV falas për të gjitha vajzat në moshën paraadoleshente

Më nisjen e Javës Botërore të Imunizimit, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka dhënë lajmin se vaksina HPV ofrohet falas për të gjitha vajzat në moshën paraadoleshente.

Gjatë një inspektimi në qendrën shëndetësore nr. 2 në kryeqytet, Ogerta Manastriliu tha se vaksina kundër Human-Papilomavirusit është në të gjithë kalendarët europianë të vaksinimit dhe mbron kundër kancerit të qafës së mitrës.

“Përfshirja e kësaj vaksine, duke filluar nga viti i ardhshëm, nga viti 2023 në kalendarin kombëtar të vaksinimit, do të rrisë mbrojtjen për vajzat sot, gratë nesër, në mënyrë që të shmangim një kancer i cili është shumë i rrezikshëm, kancerin e qafës së mitrës”.

Vaksina cilësohet me efektivitet shumë të lartë dhe aktualisht ka familjarë që e blejnë këtë vaksinë, por sipas ministres Manastirliu nga viti 2023 do të jetë një investim i qeverisë për të mbrojtur shëndetin e vajzave dhe grave në Shqipëri.

Shefja e Departamentit të Epidemilogjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, prof. Silva Bino, e ka konsideruar këtë një investim në shëndet, duke theksuar se kjo vaksinë është e sigurt.

*Tibo News.