
Ushtria serbe në High Alert! Ç’do të thotë dhe kush po provokon me Kosovën?
Ushtria serbe ka njoftuar se është vendosur në nivelin e saj më të lartë të gatishmërisë luftarake, pas javësh të përshkallëzimit të tensioneve me Kosovën.
Presidenti serb Vuçiç ka deklaruar për mediat serbe se do të merren të gjitha masat për të mbrojtur popullin serb.
Situata duket më e tensionuar dhe pason pretendimet e mediave se Prishtina po përgatit një sulm ndaj zonave etnike serbe në veri të Kosovës. Qeveria në Prishtinë, shkruan BBC, nuk ka bërë asnjë koment deri më tani lidhur me këto akuza. Megjithatë më parë ka akuzuar presidentin Vuçiç se po bën lojëra për të nxitur më tepër telashe.
Bashkimi Europian po përpiqet që të ndërmjetësojë e të qetësojë situatën. Blloku prej 27 anëtarësh po bën thirrje për “përmbajtje maksimale dhe veprim të menjëhershëm” dhe që krerët e Serbisë dhe Kosovës të kontribuojnë personalisht për një zgjidhje politike.
Tensionet janë rritur në javët e fundit ndërmjet qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga shqiptarët etnikë dhe popullatës së pakicës etnike serbe. Kosova, me shumicë dërrmuese shqiptare etnike, u shkëput nga Serbia pas një lufte në vitet 1998-99. Por Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe as serbët etnikë që jetojnë atje.
Beogradi ka rritur praninë ushtarake në kufi ditët e fundit pas raporteve kontradiktore rreth një incidenti me të shtëna në të cilin askush nuk u lëndua. Raportet nga Beogradi pretendonin se serbët etnikë ishin sulmuar, por pretendimi u hodh poshtë nga autoritetet e Kosovës në Prishtinë.
Megjithatë, Serbia duket se po përdor raportet për të justifikuar intensifikimin e pranisë së saj ushtarake në kufi.
NATO, e cila ka rreth 3700 trupa paqeruajtëse në Kosovë, u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të shmangin provokimet. Për vite me radhë, trupat e tij të KFOR-it kanë luajtur një rol vendimtar në garantimin e paqes mes dy vendeve.
Bashkimi Evropian, i cili ka një mision për sundimin e ligjit në Kosovë, ka paralajmëruar se nuk do të tolerojë sulme ndaj policisë së BE-së apo akte kriminale.
Javën e kaluar, kryeministrja serbe tha tekstualisht kështu: “ne jemi vërtet në prag të konflikteve të armatosura” dhe fajësoi Prishtinën për lëvizje të njëanshme.
Serbët etnikë vendosën postblloqe në veri më 10 dhjetor pas arrestimit të një ish-oficeri policie të dyshuar për sulmin ndaj forcave të Kosovës.
Kur kryeministri i Kosovës Albin Kurti bëri thirrje për heqjen e barrikadave, një protestë tërhoqi mijëra njerëz, të cilët e akuzuan atë për kërcënime të hapura ndaj tyre. Beogradi i kërkoi misionit të KFOR-it të lejonte forcat serbe në zonë, por KFOR tha se kishte rritur forcën e vet në zonë.
Rreth 600 serbë etnikë dhanë dorëheqjen nga policia e Kosovës në nëntor lidhur me planet për të zëvendësuar targat serbe të makinave me regjistrime lokale. BE ndërmjetësoi një marrëveshje jo të lehtë, me Kosovën që hoqi gjobat e propozuara dhe Serbia ra dakord të ndalonte regjistrimet e reja në Kosovë.
*Tibo News