
“Uria ka trokitur në derë”
Shefi për Ndihmat dhe Emergjencat në OKB paralajmëron se Somalia e shkatërruar nga thatësira është në prag të një krize urie për herë të dytë, në pak më shumë se një dekadë dhe se ka shumë pak kohë për të shpëtuar jetë njerëzish.
Në konferencën e shtypit në kryeqytetin somalez, Mogadishu ai tha: “Uria ka trokitur në derë, ky është paralajmërimi i fundit për ne”.
Ka raporte që tregojnë se kriza e urisë do të përfshijë rajonet e Baidoa dhe Burhakaba në pjesën jug-qendrore të Somalisë midis tetorit dhe dhjetorit.
“Jam i tronditur jashtë mase këto ditët e fundit nga niveli i dhimbjes dhe vuajtjes që po shohim mes shumë somalezëve”, tha kreu i Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare Martin Griffiths, i cili vizitoi zonat problematike.
Ai listoi problematikat kryesore:
“Dështimi i paprecedentë i katër sezoneve radhazi me shi, dekada konflikti, zhvendosje masive, çështje të rënda ekonomike po shtyjnë shumë njerëz në pragun e urisë. Jemi në momentin e fundit për të shpëtuar jetë”.
Somalia dhe fqinjët e saj, duke përfshirë Etiopinë dhe Kenian po përjetojnë thatësirën më të keqe në më shumë se 40 vjet, pasi katër sezone me shi dëmtuan bagëtinë dhe të korrat. Agjencitë humanitare kanë lëshuar këmbanat e alarmit për muaj të tërë dhe thonë se situata ka të ngjarë të përkeqësohet me një sezon të pestë të ngjashëm.
Griffiths tha se situata në Somali ishte më e keqe sesa gjatë urisë së fundit në vitin 2011, kur 260,000 njerëz, më shumë se gjysma e tyre fëmijë nën moshën gjashtë vjeç ndërruan jetë.
Programi Botëror i Ushqimit nga OKB ka treguar se numri i njerëzve në rrezik nga uria në të gjithë rajonin e Somalisë është rritur në 22 milionë.
Rreth një milion banorë kanë ikur nga shtëpitë e tyre në kërkim të dëshpëruar për ushqim dhe ujë. Fëmijë aq të kequshqyer sa mezi flasin apo qajnë gjenden në rrugë.
*Tibo News