
Ulen aplikimet e shqiptarëve për azil, por mbeten të parët në rajon
Aplikimet e shqiptarëve për azil shënuan rënie në tetor dhe në nëntor, por në nivelet më të larta post- pandemike. Sipas EUAA, Agjencia për Azil e Bashkimit Europian, në nëntor pati 1121 aplikime nga shtetas shqiptarë për azil në një nga vendet e Bashkimit Europian.
Kjo shifër rezulton thuajse sa gjysma për shtatorin, kur pati mbi 2 mijë aplikime, dhe 27% më e ulët se tetori. Megjithatë, sipas Monitor, shifrat mbeten dy herë më e lartë se mesatarja mujore e periudhës janar-qershor 2021, kur nuk kishte më shumë se 450-600 aplikime në muaj.
Pavarësisht tendencës rënëse në tetor dhe nëntor, Shqipëria vijon të mbajë rekordin në rajon për numrin e lartë të aplikimeve.
Sipas EUAA, në nëntor, nga Maqedonia e Veriut pati 1001 aplikime, Serbia 405, Bosnjë-Hercegovina 349, Mali i Zi 77, Kosova mbi 200.
Ndërkaq, Afganët rezultojnë të jenë grupi më i madh i aplikantëve për azil në BE, të ndjekur nga sirianët dhe irakenët.