Ukrainë: Ushtria po përgatitet të rimarrë jugun

Ushtria ukrainase tha se nisi një kundërofensivë të shumëpritur për të rimarrë territorin nga forcat ruse në jug të saj të hënën, të përforcuar nga armatimi i furnizuar nga Perëndimi.

Moska e pranoi ofensivën e Ukrainës pranë qytetit Kherson, por tha gjithashtu se ajo kishte dështuar dhe se ukrainasit kishin pësuar viktima të konsiderueshme.

Ndërkohë, predha ruse bombarduan qytetin port jugor të Mykolaiv.

Kryetari i bashkisë së qytetit tha se shtëpitë ishin goditur dhe të paktën dy persona ishin vrarë.

Kjo ofensivë e fundit ukrainase vjen pas javësh ngërç të përgjakshëm në luftë.

Konflikti shpërtheu kur trupat ruse u derdhën mbi kufijtë e Ukrainës në shkurt, në atë që Rusia e quan një “operacion ushtarak special” për të çliruar Ukrainën nga nacionalistët dhe për të mbrojtur komunitetet rusishtfolëse.

Ukraina e quan atë një luftë të paprovokuar agresioni.

Mijëra janë vrarë, miliona janë zhvendosur dhe shkalla e luftimeve është më e madhe se çdo gjë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Tani, Ukraina po përdor armë të sofistikuara të furnizuara nga Perëndimi për të goditur deponitë ruse të municioneve dhe për të bërë kërdi me linjat e furnizimit.

Një zëdhënës i komandës jugore të Ukrainës nuk pranoi të jepte detaje të kundër-ofensivës, duke thënë se forcat ruse në Ukrainën jugore mbeten “mjaft të fuqishme”.

 

*TiboNews