
Ukrainasja apel shqiptarëve: Për ndihmat përgjigjuni vetëm ambasadës, kujdes thirrjeve të rreme
Më 24 shkurt Rusia nisi pushtimin e Ukrainës me forca të shumta ushtarake që mësynë nga të katërta anët. Presidenti Vladimir Putin e ka refuzuar ta quajë pushtim, duke e konsideruar atë si një operacion për mbrojtjen e rusëve në zonat e lindjes, i cili do të de-nazifikojë Ukrainën.
Konflikti ka prodhuar qindra viktima të pafajshme dhe qindra mijëra refugjatë. Por për të shpjeguar më mirë arsyet e kësaj lufte, Tibo News intervistoi Iryna Romanovën, e cila jeton dhe punon prej më shumë se 10 vitesh në Shqipëri.
Romanova thotë se konflikti e ka zanafillën te mënyra se si Ukraina është përpjekur të shkëputet nga ndikimi i Rusisë duke synuar integrimin drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
“Si çdo vend post-sovjetik, Ukraina ka pasur një periudhë tranzicioni të vështirë, që për nga forca e zakonit fillimisht mbante politikën e Moskës, por [pas rreth 10 vitesh pavarësi] u rrit një brez i ri që shikonte nga Perëndimi, drejt Bashkimit Evropian, drejt Amerikës, ky brez nxiti revolucionin e portokallinjtë, e po kështu revolucionin e dytë kur në vitin 2014 Presidenti Yanukovych refuzoi vijimin e procesit të anëtarësimit në BE,” – tregoi Iryna.
Përshkallëzimi i konfliktit mes Ukrainës dhe Rusisë vijoi në vitin 2014 me aneksimin e Krimesë, të cilën sipas Irynas Rusia nuk mundet ta kontrollojë dot pa pasur nën zotërim zonat lindore të Ukrainës të cilat kanë lidhje direkte tokësore me gadishullin. Pikërisht për të legjitimuar këtë aneksim, Iryna thotë se Rusia ka nxitur konfliktin ushtarak tanimë me shtrirje në gjithë territorin e Ukrainës.
“Krimea pa Ukrainën është ishull, pavarësisht se gjeografikisht është një gadishull, por shërbimet si energjia elektrike, uji i pijshëm madje dhe interneti i kalonte nga Ukraina. Prandaj Rusia e ka shumë të kushtueshme ta mbajë Krimenë duke mos pasur lidhje tokësore me të, prandaj e vetmja mënyrë për uljen e kostove është hapja e rrugëve tokësore, këto rrugë mund të hapen duke kapur pjesët lindore si Luhansk, Donetsk apo Mariupol,” – thotë Iryna.
Pas pesë ditësh luftime palët pranuan të nisin bisedimet për një armëpushim, por sikurse thotë Iryna, ukrainasit nuk kanë shumë besim për zgjidhje me dialog, pasi ata janë të vendosur për të mos lëshuar asgjë nga kauza e tyre, si perspektivën drejt Perëndimit, njësoj edhe territoret e pushtuara.
Në Shqipëri Iryna është marrë shumë me turizmin duke mbuluar guidat turistike nga vendet e lindjes, kryesisht Ukrina dhe Rusia. Konflikti ushtarak thotë se i ka dhënë efektet duke sjellë një valë anulimesh nga rezervimet për sezonin turistik dhe me gjasë nuk do të ketë turistë ukrainas e rusë për disa sezone.
“Kanë qenë gati te 300-400 mijë turistë [ukrainas e rusë] gjatë sezoneve në Shqipëri, por tanimë rezervimet janë anuluar dhe hoteleria do të ketë pasoja, plus edhe nëse konflikti zgjidhet shpejt ukrainasit do ta kenë mendjen te rindërtimi i vendit dhe jo te pushimet, ndërkohë që rusëve u është ndaluar udhëtimi dhe po kështu po hasin pasoja ekonomike të rënda,” – analizoi Iryna.
Iryna thotë se ndihma më e madhe që mund të bëjnë shqiptarët është të mos shpërndajnë lajme apo njoftime të rreme, sidomos për fushatat e mbledhjes së donacioneve. Ajo apelon që referim kryesor duhet të jenë kanalet zyrtare si ato të Ambasadës së Ukrainës.
“Ju lutem! Mos shpërndani postime të dyshimta, apele të rreme, drejtojuni vetëm thirrjes së ambasadës ukrainase (link), vetëm faqeve të konfirmuara, pasi po rezultojnë shumë mashtrues, kini kujdes që ndihmat tuaja të shkojnë vërtetë te Ukraina,” – apeloi Iryna.
Për ata që janë ende të dyzuar për çështjen e Ukrainës, Iryna thotë se nuk ka shumë për çfarë të bindur, pasi vetë shqiptarët kanë qenë të shtypur dhe në kërkim të lirisë, ndaj nuk duhet t’i mohojnë të drejtat e ukrainasve.
https://www.facebook.com/watch/?v=978826476405757