
Ukraina kërkon ndihmë urgjente nga Izraeli
Në thirrjen e tij të fundit për ndihmë nga jashtë, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy vuri në dyshim hezitimin e Izraelit për të shitur sistemin e tij të mbrojtjes raketore Iron Dome, të cilin ai e quajti “më të mirën”.
“Ne mund të pyesim shumë herë pse nuk po marrim armë nga ju dhe pse Izraeli nuk ka vendosur sanksione të fuqishme ndaj Rusisë, ose nuk po ushtron presion mbi bizneset ruse. Por sido që të jetë, zgjedhja është e juaja vëllezër dhe motra, dhe atëherë duhet të jetoni me përgjigjen tuaj,” tha ai në një dalje publike.
Zelenskiy përshëndeti gjithashtu përpjekjet ndërmjetësuese të kryeministrit izraelit Naftali Bennett, i cili ka mbajtur telefonata të shumta me të dhe presidentin rus Vladimir Putin.
“Ne jemi mirënjohës për këtë, për çdo përpjekje, në mënyrë që herët a vonë të fillojmë të bisedojmë me Rusinë. Ndoshta në Jerusalem. Ky është vendi i duhur për të gjetur paqen, nëse kjo është e mundur,” u shpreh Zelenskiy.
Ukraina vazhdon të refuzojë thirrjet e Rusisë për të dorëzuar qytetin port të Mariupolit, i cili ka pësuar disa nga bombardimet më të rënda që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës.
Nga ana tjetër, Moska vazhdon ta quajë atë një operacion special ushtarak.
Ndërsa luftimet e ashpra treguan pak shenja lehtësimi të dielën, qindra mijëra banorë të Mariupolit mbetën të rrethuar me pak ushqim, ujë dhe energji.
Diplomati i fundit i BE-së që evakuoi Mariupolin, konsulli i përgjithshëm i Greqisë, tha se qyteti po i bashkohej radhëve të vendeve të njohura që janë shkatërruar në luftërat.
Ndërkohë, video e publikuar nga Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës të dielën mbrëma tregoi një shpërthim të madh në periferi të kryeqytetit Kiev.
Pushtimi rus i Ukrainës ka lënë mijëra njerëz të vdekur, ndërsa më shumë se tre milionë janë larguar si refugjat.
Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut tha se më shumë se 900 civilë ishin vrarë që nga e shtuna, megjithëse numri i vërtetë mund të jetë më i lartë, pavarësisht se Rusia mohon të ketë shënjestruar civilët.