“Ukraina është Rusi”, Medvedev fyen Zelenskyn dhe liderët perëndimorë

Gjatë një fjalimi në rajonin e Krasnodarit të Rusisë, i cili lidhet me Krimenë e pushtuar nëpërmjet urës së Kerçit, Dmitry Medvedev mohoi sërish pavarësinë e Ukrainës.

“Shteti aktual ukrainas është, para së gjithash, katastrofik për qytetarët e vet, është një shtet i dështuar. Më e mira që i pret është të jenë skllevër”, tha ai.

Përpara një harte që tregon Ukrainën të ndarë mes Rusisë, Polonisë dhe Rumanisë, Medvedev shtoi: “Në të kaluarën një nga liderët e Ukrainës tha se Ukraina nuk është Rusi. Kjo ide duhet të zhduket përgjithmonë. Ukraina, natyrisht, është Rusi”.

Dhe për të argëtuar audiencën e tij, ai tregoi karikaturat e Olaf Scholz, Joe Biden, Ursula von der Leyen, Emmanuel Macron, Boris Johnson dhe Volodymyr Zelensky të krijuara nga një program i inteligjencës artificiale.