
Ukraina çliron të tjera territore në lindje
Një kundërsulm i ushtrisë ukrainase ka bërë që Rusia të humbasë të tjera territore në zonën lindore të Donetskut.
Zona e Lymanit ishte pushtuar prej muajit shkurt. Kundërsulmi ukrainas la pas trupa të shumta, automjete të shkatërruara dhe plot gëzhoja.
Një ushtar ukrainas tha për agjencinë Reuters se të paktën 10 ushtarë rusë u vranë nga përplasja me njësinë e fundit.
Forcat ukrainase kanë rimarrë mijëra kilometra katrorë territore që nga fillimi i muajit shtator, duke përfshirë këtu dhjetëra qyteza vetëm në javët e fundit.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy ka thënë se ushtria ka mundur të çlirojë tre qyteza të tjera në rajonin jugor të Khersonit.
Komentet e tij erdhën pasi Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një dekret të posaçëm i cili përfshinte në Federatën Ruse territoret e katër rajoneve të pushtuara në Ukrainë, mes të cilave bën pjesë edhe Khersoni.
Kievi e quajti këtë vendim akt të një “çmendurie kolektive”, që vjen në një kohë kur forcat ruse po largohen nga vija e frontit. Dekreti i Putinit përfshin rreth 18% të territorit të Ukrainës në Rusi, e barasvlershme me Portugalinë.
Ky është aneksimi më i madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Akti i Moskës pason referendumet që organizoi në katër provincat javën e shkuar, të cilat Kievi dhe aleatët thonë se ishin të paligjshme.
Putin thotë se aneksimi u bë për të garantuar sigurinë e Rusisë dhe për të mbrojtur rusët e Ukrainës. Por Zelenskiy thotë se Ukraina nuk do të pranojë kurrë marrjen me forcë të territoreve të saj.
*Tibo News.