
UEFA nën trysni për të zhvendosur organizimin e finales së Champions League nga Rusia
Një grup ligjvënësish evropianë i kërkuan të enjten Bashkësisë së Federatave Evropiane të Futbollit, njohur si UEFA që të ndryshojë vendin e finales së Ligës së Kampionëve, e cila është planifikuar të zhvillohet në Shën Petersburg më 28 maj.
Kërkesa erdhi pasi Moska zyrtare nisi zyrtarisht ofensivën ushtarake në lindje të Ukrainës. Eurodeputetët kërkuan përmes një shkrese që UEFA të ndalojë së konsideruari çdo qytetet rus për ndeshjet ndërkombëtare të futbollit.
Ligjvënësit kërkuan gjithashtu që UEFA t’i japë fund sponsorizimit të Champions dhe Europa League nga Gazprom, kompania shtetërore ruse e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës. Prej vitesh UEFA ka një marrëdhënie sponsorizimi me Gazprom, e cila ka sigluar një marrëveshje prej rreth 40 milionë eurosh deri në finalet e vitit 2024.
UEFA është vënë në trysni për të thirrur një takim të posaçëm të Komitetit Ekzekutiv. Zyrtarisht UEFA dhe FIFA mbajnë qëndrim neutral për zhvillimet politike dhe janë kundër përzierjen e sportit me politikën, mirëpo përballë situatave të luftës ata kanë marrë gjithmonë qëndrime për të zhvendosur organizimet.
Mediat britanike shkruajnë se stadiumet e Wembley-it dhe Tottenhamit janë kandidate potenciale për t’u organizuar finalja e Champions League-ës në rast të një përjashtimi nga UEFA të stadiumit të Shën Petersburgut.
Por për një vendim konkret UEFA mund të presë deri kur turnetë e saj europianë të jenë në fazat e gjysmë-finaleve.