U vra për një fjalë goje? Detaje nga sherri me të rinjtë, në makinën e viktimës ishte një vajzë

Detaje të reja janë publikuar në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e të dielës në Shkozë, ku një i ri mbeti i vrarë.

Dyshohet se sherri mes të rinjve ka nisur për një vajzë dhe komenteve që ata kanë bërë në drejtim të saj.

Mësohet se gjatë lëvizjes me makinë, 4 autorët e dyshuar dhe viktima Aurelio Dervishi kanë shkëmbyer ofendime me njëri-tjetrin, ndërkohë që vajza në fjalë ndodhej në makinën e 18 vjeçarit, pra viktimës, Aurelio Dervishi. Sherri verbal ka agravuar në përplasje fizike, ku dyshohet se 20 vjeçari Frensis Shehu dhe 3 djemtë e tjerë të mitur kanë përdorur thikat. Një goditje me thikë ishte fatale për Aurelion, i cili fatkeqësisht, ndërroi jetë rrugës për në spital. Shoqërimi në komisariat i 4 të dyshuarve u bë i mundur mëngjesin e sotëm. Sipas policisë, ata u gjetën në zonën e Farkës.

Njoftimi i policisë: 

“Identifikohen dhe shoqërohen në ambientet e Policisë, 4 autorët e dyshuar të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në Shkozë. Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për një konflikt të çastit me mjete prerëse mes disa personave, ku si pasojë e dëmtimeve të marra ka humbur jetën shtetasi A. D., 18 vjeç, ju informojmë se:

Janë identifikuar, kapur dhe shoqëruar në ambientet e Policisë shtetasit F. Sh., 20 vjeç, dhe tre të mitur të moshës 16 vjeç, 16 vjeç, një 15 vjeç, dhe po punohet per dokumentimin e plotë të ngjarjes. Nga veprimet paraprake hetimore të kryera ka rezultuar se këta shtetas mbrëmjen e djeshme, duke qarkulluar me automjet, janë konfliktuar per motive të dobëta me shtetasit që ndodheshin në automjet me 18-vjeçarin. Më pas konflikti ka agravuar me mjete prerëse, ku është goditur me thikë 18-vjeçari, i cili si pasojë e dëmtimeve, ka ndërruar jetë rrugës për në spital”.