U goditëm pa shkak me makinë, dhunuan shqiptarët. 5 të arrestuar Të rinjtë

Arrestohen 5 prej autorëve të dyshuar të dhunës ndaj 3 të rinjve shqiptarë të shtunën në Herceg Novi në Mal të Zi. Lajmi është konfirmuar nga autoritetet shqiptare, ndërsa mësohet se të 5 të ndaluarit janë me kombësi malazeze, më konkretisht nga Herceg Novi. Përveç tyre, autoritetet malazeze kanë shpallur në kërkim edhe 2 persona të tjerë që dyshohet se janë përfshirë në ngjarjen e së shtunës. Identifikim i të ndaluarve dhe atyre të shpallur në kërkim është bërë pas analizimit të pamjeve të kamerave të sigurisë në zonën ku u regjistrua incidenti.

Policia malazeze ka dhënë detaje rreth zanafillës së ngjarjes e cila u regjistrua fill sapo 3 shqiptarët zbritën nga trageti dhe po lëviznin me një automjet me targa gjermane në Herceg Novi. Pikërisht në këtë zonë të rinjtë nga Shqipëria janë goditur me makinë nga agresorët, e më pas ndaj tyre është ushtruar dhunë fizike. E gjithë kjo kronologji, është dëshmuar para oficerëve të policisë malazeze dhe nga shqiptarët e dhunuar, Klodjan Meaj, Azem Dervishi dhe Doris Kopaçi.

Në momentet e intervistimit të tyre tre shqiptarët kanë qenë të shoqëruar nga një avokat dhe përfaqësues të ambasadës shqiptare.Policia malazeze thotë se shkak i ngjarjes është bërë një incident trafiku, ndërsa vetë të dëmtuarit kanë deklaruar se janë dhunuar pa shkak. Pasi kanë përfunduar të gjitha procedurat, 3 të rinjtë janë nisur drejt Shqipërisë me dëshirën e tyre, teksa gjatë rrugës janë shoqëruar nga policia malazeze.Me mbërritjen e tyre në atdhe, ata i janë nënshtruar kontrolleve mjekësore në spitalin e Shkodrës.

Pas marrjes së ndihmës në spitalin e Shkodrës tre të rinjtë kanë udhëtuar drejt vendbanimeve të tyre, ndërsa jashtë kamerave kanë konfirmuar se nuk ka patur asnjë provokim apo fjalë nga ana e tyre drejt dhunuesve, ndërkohë që këta të fundit i kanë ndaluar në rrugë duke i dhunuar pa asnjë arsye dhe duke i goditur me sende të forta në kokë dhe trup.Dhuna ndaj 3 shqiptarëve u denoncua fillimisht nga familjarët e tyre, çka ngjalli menjëherë reagim nga autoritetet. Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, kontaktoi homologun e tij malazez Danilo Sharanoviç ku kërkoi informacion të plotë mbi shkaqet e këtij incidenti. Për këtë të fundit reagoi dhe kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, i cili që në momentet e para deklaroi se policia e vendit të tij ishte në gjurmët e agresorëve.