Twitter shpërndan grupin për besimin dhe sigurinë

Twitter tashmë në pronësi të Elon Musk ka nxjerrë jashtë funksioni Këshillin për Sigurinë dhe Besimin, një grup konsulent i përbërë nga rreth 100 organizata të pavarura civile dhe të të drejtave të njeriut.

Kompania kishte formuar këtë grup këshillues në vitin 2016 për të trajtuar gjuhën e urrejtjes, shfrytëzimin e fëmijëve, vetëvrasjet dhe probleme të tjera në platformën sociale.

Këshilli ishte planifikuar të takohej me përfaqësuesit e firmës Twitter mbrëmjen e së hënës.

Por kompania informoi grupin përmes një email-i se po e shpërndante atë pak përpara se të mbahej takimi, sipas disa anëtarëve.

Anëtarët e këshillit, të cilët ofruan imazhe të email-it, folën në kushte anonimiteti për shkak të frikës nga hakmarrja.

Në email shkruhej se firma Twitter po “rivlerësonte mënyrën më të mirë për të sjellë njohuri nga jashtë rrjetit” dhe këshilli “nuk është struktura më e mirë për ta bërë këtë”.

Grupi vullnetar nuk kishte ndonjë autoritet vendimmarës dhe nuk shqyrtonte mosmarrëveshje specifike lidhur me përmbajtjen.

Pas blerjes së rrjetit Twitter për 44 miliardë dollarë në fund të tetorit, zoti Musk tha se do të formonte një “këshill të ri për moderimin e përmbajtjes” për të ndihmuar në marrjen e vendimeve të mëdha, por më vonë ndryshoi mendje.

*TiboNews