Rivaliteti teknologjik, Twitter kërcënon me padi “Meta-n” e Zuckerberg

Twitter ka kërcënuar të padisë Meta-n për aplikacionin e tij të ri Threads, duke pretenduar se kompania ka shkelur “të drejtat e pronësisë intelektuale” të Twitter .

Në një letër drejtuar CEO-s, Mark Zuckerberg, një avokat për Twitter tha se kompania “ka shqetësime serioze se Meta Platforms (Meta) është përfshirë në shpërdorim sistematik, të qëllimshëm dhe të paligjshëm të sekreteve tregtare të Twitter dhe pronës intelektuale.”

Meta lançoi Threads, një aplikacion me fokus kryesor postimet me tekst, që synon të rivalizojë Twitter-in. Kompania tha se Threads pati 30 milionë regjistrime në më pak se 24 orë pas lançimit, me sa duket duke e bërë atë aplikacionin më të shkarkuar ndonjëherë.

Zuckerberg tha se Threads ishte përpjekja e Meta-s për të krijuar një “aplikacion për biseda publike me 1 miliardë+ njerëz” – një mundësi që Twitter e kishte, por “nuk e ka shfrytëzuar”.

Twitter pretendon se Meta ka rekrutuar dhjetëra ish-punonjës gjatë vitit të kaluar, disa prej të cilëve “kishin dhe vazhdojnë të kenë akses në sekretet tregtare të Twitter dhe informacione të tjera tepër konfidenciale” dhe “shumë” prej të cilëve kanë mbajtur “në mënyrë të pahijshme” dokumente të Twitter ose pajisje elektronike.

“Konkurrenca është ok, vjedhja jo”, shkroi Musk në Twitter të enjten.

Në përgjigje të letrës, drejtori i komunikimit të Meta-s, Andy Stone, postoi në Threads se nuk ka inxhinierë që kanë punuar më parë në Twitter.