Turqia goditet nga tërmeti më i fortë në 100 vitet e fundit, 500 viktima dhe qindra të lënduar

Më shumë se 500 persona dyshohet të kenë ndërruar jetë në Turqi dhe Siri pas tërmetit të fortë me magnitudë 7.8 të shkallës Rihter, dhe dhjetëra pasgoditjeve që janë ndjerë edhe në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Sipas sizmologëve, ky mund të jetë tërmeti më i fortë që ka përjetuar Turqia në 100 vitet e fundit.

Mediat turke flasin për mijëra njerëz të tjerë të bllokuar nën rrënojat e pallateve dhe ndërtesave të tjera, ç’ka vështirëson punën e ekipeve të shpëtimit.

237 nga viktimat thuhet të jenë sirianë, nga të gjitha provincat e Alepo, Latakia, Hama dhe Tartus.

Më shumë se 600 persona janë lënduar.

Tërmeti goditi në Turqinë juglindore, pranë kufirit me Sirinë.

Për shkak të pasojave fatale, Turqia ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe u bën thirrje njerëzve të mos përdorin telefonat për të mos interferuar tek ekipet e shpëtimit.

Miliona njerëz në të gjithë Turqinë, Sirinë, Libanin, Qipron dhe Izraelin e ndjenë tërmetin, epiqendra ishte afër qytetit turk të Gaziantep.

Presidenti turk Erdogan ka reaguar në Tëitter duke thënë:  Së bashku do ta kalojmë këtë fatkeqësi.

Deri më tani sizmologët kanë bërë me dije se tërmeti ishte me një thellësi prej 17.9 km.

Lëkundjet u ndjenë në qytete të ndryshme turke, përfshirë kryeqytetin Ankaranë, si dhe në vendet fqinje si Siria, Libani dhe Izraeli.

Pamjet në mediat sociale tregojnë ndërtesa të shembura dhe njerëz të mbetur nën rrënoja duke kërkuar ndihmë.

Tërmeti me magnitudë 7.8 të shkallës Rihter u pasua 11 minuta më vonë nga një pasgoditje me magnitudë 6.7.