
Turqia dhe Greqia me sulme në gjuhën e njëra-tjetrës mbi ishujt e Detit Egje
Një luftë fjalësh në përshkallëzim ka shpërthyer mes Turqisë dhe Greqisë për ishujt në detin Egje, me të dyja palët që po shkëmbejnë akuza dhe kërcënime në gjuhën e njëra-tjetrës.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan paralajmëroi të enjten Athinën që të çmilitarizojë ishujt që ai pretendon se i janë dorëzuar Greqisë në mënyrë paqësore.
Ankaraja ka akuzuar autoritetet greke për prani ushtarake në kundërshtim me Traktatin e Lozanës të vitit 1923 dhe Traktatin e Parisit të vitit 1947, të cilat garantojnë statusin e paarmatosur të ishujve.
Erdogan deklaroi se ai “nuk bën shaka” dhe madje postoi statuse në Twitter në greqisht dhe anglisht duke përdorur retorika të ashpra kundër fqinjit dhe rivalit historik rajonal, Greqisë.
“Ky komb është i vendosur,” tha presidenti turk në ditën e fundit të stërvitjeve ushtarake pranë Izmirit.
Por Greqia ka deklaruar se ishujt nuk mund të lihen të pambrojtura.
Ndërsa të dy vendet janë aleatë të NATO-s, ata janë përfshirë prej kohësh në mosmarrëveshje mbi emigrimin, kufijtë detarë dhe kërkimin e mineraleve në Mesdheun lindor.
Greqia thotë se Turqia ka keqinterpretuar qëllimisht traktatet ndërkombëtare dhe thotë se ka baza ligjore për të mbrojtur veten kundër veprimeve armiqësore të Ankarasë.
Pasi Erdogan vendosi të postonte në greqisht, një zëdhënës i qeverisë në Athinë e përshkroi me fjalët: “Greqishtja njihet si gjuha e arsyes, lirisë dhe drejtësisë. Taktikat që ka zgjedhur Turqia nuk i përkasin asnjërës prej këtyre kategorive’’.
Edhe ish-kryeministri grek Alexis Tsipras i është përgjigjur Erdoganit në turqisht.
“Greqia do të mbrojë sovranitetin e saj kundër të gjitha llojeve të kërcënimeve. T’i japim fund provokimit dhe t’i kthehemi dialogut në bazë të së drejtës ndërkombëtare”.
Muajin e kaluar, Erdogan tha se do të ndalonte së foluri me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, pas komenteve që kreu grek bëri gjatë një udhëtimi në SHBA.
“Unë mendoj se jemi ende shumë larg nga ajo pikë, larg tensionit që kishim në verën e vitit 2020,” tha Mitsotakis duke iu referuar një kohe kur tensionet u ndezën midis Greqisë dhe Turqisë mbi të drejtat e kërkimit të gazit në Mesdheun lindor.
“Sot, të gjithë duhet të tregojnë përmbajtje,” tha ai, duke komentuar tensionet midis Athinës dhe Ankarasë, “veçanërisht në një kohë kur po përballemi me një sfidë shumë të madhe në NATO me pushtimin rus të Ukrainës. Duhet të jemi të bashkuar”.
*Tibo News