
Turqia akuzon kurdët për sulmin me bombë në Stamboll
Policia turke publikoi të hënën videon e arrestimit të një gruaje të dyshuar se ka lidhje me shpërthimin e fundjavës në Stamboll, ku u vranë të paktën 6 persona.
Qeveria turke fajësoi për këtë atentat militantët kurdë.
Përveç vajzës së parë në video, të quajtur Ahlam Albashir, autoritetet thanë se kishin arrestuar edhe 46 persona të tjerë.
Albashir, me prejardhje nga Siria, dyshohet se është personi që vendosi bombën të dielën në një rrugë të populluar tregtare. Autoritetet thonë se ajo u trajnua nga militantët kurdë në Siri dhe se kishte hyrë në Turqi përmes rajonit Afrin në juglindje.
Ministri i Brendshëm Suleyman Soylu tha se Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, e njohur gjithashtu si PKK, dhe milicia kurde siriane YPG ishin përgjegjëse për sulmin.
Soylu tha se urdhri për sulmin ishte dhënë në Kobani, një qytet në veri të Sirisë.
Forcat turke kanë kryer operacione atje kundër YPG-ve gjatë viteve të fundit.
Në një deklaratë në faqen e saj të internetit të hënën, PKK mohoi përfshirjen në sulm, duke thënë se kjo organizatë nuk synon civilët.
Agjencitë turke të lajmeve raportuan me imazhe momentet kur para shpërthimit një person, në dukje, grua, la një pako poshtë një tezge lulesh.
Ankaraja thotë se YPG-ja, të cilën Uashingtoni zyrtar e ka mbështetur në konfliktin në Siri, është krah me PKK-në.
Prej vitit 1984, PKK ka udhëhequr një kryengritje kundër Ankarasë ku më shumë se 40,000 njerëz janë vrarë.
Ajo konsiderohet organizatë terroriste nga Turqia, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.
Stambolli ka qenë në shënjestër në të kaluarën nga militantët kurdë, islamikë dhe të majtë.
Sulmi i së dielës ngjalli shqetësime se Turqia mund të goditet me më shumë incidente përpara zgjedhjeve të tensionuara të planifikuara për në qershor 2023.
*Tibo News.