Turistët mbushin Vlorën: Një destinacion ideal për pushime

Vlora vazhdon të jetë një destinacion i preferuar për turistët vendas dhe të huaj. Këtë muaj, numri i pushuesve është rritur ndjeshëm, pavarësisht se temperaturat ende nuk janë shumë të larta.

Turistët vijnë nga vende të ndryshme dhe e përshkruajnë Vlorën si vendin ideal për disa ditë pushime.

“Jam nga Londra. Kam blerë një apartament këtu tek Uji i Ftohtë. Vlora ka gjithçka – detin, malin… gjithçka është perfekte!” thotë një turist nga Londra.

Fundjava sjell gjithashtu shumë pushues vendas, kryesisht nga Tirana, që kërkojnë qetësinë dhe relaksin pranë bregdetit. Sipas tyre, Vlora ka pësuar ndryshime të mëdha, megjithëse ka ende vend për përmirësime. “Ka çmime të lira dhe të shtrenjta, varet çfarë kërkon,” thotë një banor nga Tirana.

Vlora si qytet bregdetar hapi zyrtarisht sezonin turistik pak ditë më parë dhe pritet që numri i turistëve këtë vit të jetë më i lartë se vitin e kaluar.