Turistët e huaj në Shqipëri, rritje me 32% gjatë 2022-shit

Numri i shtetasve të huaj që hynë në Shqipëri gjatë vitit 2022 është 7.543.817, shifra që tregojnë një rritje prej 32,6%, në krahasim me vitin 2021.

Sipas të dhënave të Instat, në të njëjtën periudhë, numri i shqiptarëve që udhëtuan jashtë shënoi rritje më të ndjeshme.

Ata që kanë dalë nga Shqipëria në vitin 2022 është 5.882.007 persona duke u rritur 40,4%, krahasuar me vitin e mëparshëm.

Gjatë muajit Dhjetor, periudha e festave të fundvitit  u shënua rekord, pasi 635 mijë shqiptarë udhëtuan jashtë duke pësuar rritje me 85,2 % në krahasim me Dhjetorin 2021.

Gjatë vitit 2022, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, rezulton Spanja me rritjen më të madhe me 3,6 herë dhe Anglia me 85,9%, ndërsa Zvicra me rritjen më të ulët me 14,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Turistët nga Kosova janë primarët, pasi shqiptarët e Kosovës shënuan shifrën mbi 3 milionë turistë në Shqipëri gjatë vitit të shkuar, me rritje 20% në raport me 2021-in.

Në vendin e dytë janë shtetasit nga Maqedonia e Veriut me rritje 19%.

Në vendin e tretë janë turistët nga Italia me 561 mijë hyrje të shtetasve italianë.

Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë nga pikat ajrore është rritur me 71,5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

*Tibo News