Trump nuk ka paguar taksat përgjatë vitit të fundit si president

Donald Trump nuk pagoi taksa mbi të ardhurat gjatë vitit të fundit të mandatit të tij presidencial.

Një raport i publikuar nga Kongresi tregoi se Trump shmangu taksat duke deklaruar humbje nga bizneset e tij.

Me nismë të demokratëve Kongresi ka nxjerrë në pah faktin se gjatë mandatit si President, të ardhurat dhe detyrimet tatimore të Trump pësuan luhatje domethënëse dhe në vitin e fundit fatura ishte zero.

Të dhënat thyejnë imazhin e kultivuar prej kohësh të ish-presidentit republikan si një biznesmen i suksesshëm, ndërsa ky ka bërë me dije synimin për të kandiduar sërish.

Dokumentet tregojnë se gjatë katër viteve në Shtëpinë e Bardhë, Trump dhe gruaja e tij, Melania, përfituan kompensime dhe minimizuan detyrimet tatimore falë deklarimeve me humbje të bizneseve të tyre.

Në katër vite ata paguan vetëm 3 milionë dollarë në total dhe në vitin 2020 nuk paguan asgjë falë përllogaritjeve në humbje të deklaratave.

Demokratët kanë vënë në diskutim legjitimitetin e disa prej këtyre praktikave.

Trump refuzoi t’i bënte publike deklaratat e tij tatimore gjatë dy fushatave zgjedhore edhe pse të gjithë kandidatët e tjerë presidencialë e kanë bërë këtë gjë për dekada me radhë.

Kongresi i mori të dhënat tatimore të Trumpit pas një lufte të gjatë ligjore dhe, kryesisht me votat e demokratëve, vendosi t’i bëjë ato publike.

Demokratët thanë se rishikimi i deklaratave tatimore zbuloi se autoritetet nuk i kishin shqyrtuar siç duhet për të siguruar saktësitë e tyre.

Kjo ndodhi kryesisht për faktin se ndaj Trump ishte caktuar vetëm një agjent auditimi.

Një zëdhënës i Trump tha se publikimi i deklaratave tatimore ishte i motivuar politikisht.

*TiboNews