Trump nominohet për Çmimin Nobel për Paqe

Ligjvënësja republikane Claudia Tenney ka nominuar Donald Trump për çmimin Nobel për Paqen, duke përmendur politikën e tij “historike” në Lindjen e Mesme.

Përfaqësuesja e Nju Jorkut, Claudia Tenney, tha në një deklaratë se ajo vendosi të emërojë ish-presidentin për rolin e tij në traktatin e Abrahamit, i cili normalizoi zyrtarisht marrëdhëniet midis Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahreinit dhe Izraelit.

“Për dekada të tëra, burokratët, ‘profesionistët’ e politikës së jashtme dhe organizatat ndërkombëtare këmbëngulën se marrëveshjet e paqes në Lindjen e Mesme ishin të pamundura pa zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez. Presidenti Trump vërtetoi se kjo ishte e rreme,” shtoi ajo.

“Përpjekjet e guximshme të Presidentit Trump në krijimin e Marrëveshjeve të Abrahamit ishin të paprecedentë dhe vazhdojnë të mbeten të panjohura nga Komiteti i Çmimit Nobel për Paqen, duke nënvizuar nevojën për emërimin e tij sot. Tani më shumë se kurrë, kur lidershipi i dobët i Joe Biden në skenën ndërkombëtare po kërcënon sigurinë e vendit tonë, ne duhet ta njohim Trump për udhëheqjen e tij të fortë dhe përpjekjet e tij për të arritur paqen botërore.

Jam e nderuar të nominoj ish-presidentin Donald Trump sot dhe shpresoj që ai të marrë njohjen që meriton”, theksoi ajo.

Pavarësisht kritikave të tilla për politikën e jashtme të Trump, 77-vjeçari u nominua për çmimin Nobel për Paqe disa herë gjatë presidencës së tij.

Megjithatë, ai nuk arriti të fitojë çmimin.

Trump u nominua për çmimin në vitin 2020 nga politikani norvegjez i ekstremit të djathtë Christian Tybring-Gjedde, duke përmendur përpjekjet e tij për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy Koreve.

Deputeti suedez Magnus Jacobsson gjithashtu emëroi Trump në vitin 2020 për rolin e tij në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës.

Një vit më pas, deputetja nacionaliste suedeze Laura Huhtasaari dhe një grup ligjvënësish australianë e emëruan atë për rolin e tij në ndërmjetësimin e Marrëveshjes së Abrahamit.

Ndërsa Trump nuk e ka fituar kurrë çmimin, paraardhësi i tij, ish-presidenti Barack Obama, u nderua me Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2009 për “përpjekjet e tij të jashtëzakonshme për të forcuar diplomacinë ndërkombëtare dhe bashkëpunimin midis popujve”.

Obama dhuroi çmimin prej 1.4 milionë dollarësh për bamirësi.