Trump duhet të dëshmojë me fëmijët në hetimin kundër tij në New York

Ish presidenti amerikan Donald Trump dhe dy nga fëmijët e tij duhet t’u përgjigjen pyetjeve nën betim, pas një hetimi të nisur në New York për praktikat e tyre të biznesit.

Prokurori i Përgjithshëm i Nju Jorkut ka akuzuar Organizatën Trump për përfitimin e lehtësirave tatimore dhe kredive përmes vlerësimeve të rreme të aseteve. Trump duhet të pranojë të japë dëshminë brenda 21 ditëve. Ai i mohon akuzat dhe pritet të apelojë vendimin.

Ai gjithashtu mund të mbrohet me argumentinin se ka të drejtën për të heshtur. Organizata Trump tha në një deklaratë se i gjithë sistemi është i korruptuar.

Të enjten, gjyqtari i Gjykatës së Lartë të Nju Jorkut tha se Trump, djali i tij Donald Trump Jr, 44 vjeç dhe vajza Ivanka 40 vjeç, duhet të respektojnë urdhrat ligjorë që prokurorët lëshuan në dhjetor.

Hetimi i Prokurores së Përgjithshme të Nju Jorkut pretendon se ka zbuluar prova të shumta të mashtrimit të mundshëm financiar.