“Triangle of Sadness” fiton ‘Palmën e Artë’ në Kanë

Komedia luftarake e klasave të regjisorit suedez Ruben Ostlund “Trekëndëshi i trishtimit” fitoi Palmën e Artë në Festivalin e 75-të të Filmit në Kanë të shtunën, duke i dhënë Ostlund një nga çmimet më prestigjioze të kinemasë për herë të dytë.

Ostlund kishte fituar tashmë nderin më të lartë të Kanës për filmin e tij “The Square” në 2017.

Çmimi i dytë i jurisë, çmimi i madh, u nda mes dramës së butë të fëmijërisë së Lukas Dhont “Close” dhe filmit të regjisores Claire Denis ” Stars at Noon”.

Ylli korean Song Kang Ho u shpall aktori më i mirë për interpretimin e tij në filmin “Broker” të regjisorit japonez Hirokazu Kore-eda, që flet për familjen koreane që kërkon një shtëpi për një fëmijë të braktisur.

Aktorja më e mirë shkoi te Zar Amir Ebrahimi për interpretimin e saj si gazetare në filmin “Holy Spider” të Ali Abbasit, një thriller për një vrasës serial që synon punonjësit e seksit në qytetin fetar iranian të Mashhadit. “Holy Spider” nuk u lejua të xhirohej në Iran dhe në vend të kësaj u realizua në Jordani. Duke pranuar çmimin, Ebrahimi tha se filmi përshkruan “gjithçka që është e pamundur të shfaqet në Iran”.

Çmimet u përzgjodhën nga një juri prej nëntë anëtarësh e kryesuar nga aktori francez Vincent Lindon.

Çmimi i jurisë u nda midis përrallës së miqësisë ” The Eight Mountains”, nga Charlotte Vandermeersch dhe Felix Van Groeningen, dhe “EO” të regjisorit polak Jerzy Skolimowski, rreth udhëtimit të një gomari nëpër një Evropë të pamëshirshme moderne.

Regjisori suedez-egjiptian Tarik Saleh mori skenarin më të mirë në Kanë për “Boy From Heaven”, një thriller i vendosur në xhaminë Al-Azhar të Kajros.

Çmimi i sivjetshëm për filmin e parë më të mirë, shkoi për Riley Keough dhe Gina Gammell për “War Pony”, një dramë rreth Pine Ridge Reservation e realizuar në bashkëpunim me qytetarët Oglala Lakota dhe Sicangu Lakota.