Trajneri Silvinjo nderohet me “Shqiponjën e Artë”

Në kuadër të Ditës Arbëreshe, personalitete të shquara janë nderuar me “Shqiponjën e Artë” në eventin e mbajtur në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Një ndër ato ka qenë edhe trajneri i Kombëtares, Silvinjo, të cilit “Shqiponja e Artë” i është dorëzuar nga Kryeministri i vendit, Edi Rama.

Gjatë fjalës së tij, Rama është shprehur se shqiponjën e ka për një shqiptar në lindje e sipër. Nga ana tjetër, trajneri Silvinjo është shprehur shumë i kënaqur për këtë nderim që i është bërë, teksa ka deklaruar se asgjë nuk do të ishte e mundur pa futbolistët e Kombëtares.

Edi Rama: Këtë shqiponjë nuk e kam as për një shqiptar dhe as për një arbëresh, por shqiptar mund të lindësh, shqiptar mund të bëhesh. Këtë shqiponjë e kam për një shqiptar në lindje e sipër dhe dua ta ftoj këtë trajnerin e Kombëtares tonë.

Silvinjo: Dua të falenderoj të gjithë skuadrën e Kombëtares, janë të fortë, sigurisht edhe stafin e Federatës. Faleminderit të gjithëve, faleminderit të gjithë skuadrës pasi pa ato nuk do të isha në këtë mbrëmje që për mua është një nder i madh.