Tragjike në Haiti, 16 anëtarë të një familjeje gjenden të vdekur

Të paktën 16 anëtarë të së njëjtës familje u gjetën të vdekur në shtëpinë e tyre në jug të Haitit, tha një zyrtar lokal. Mediat në vend vunë në dukje se ngjarja ndodhi një ditë pasi familja mori pjesë në një funeral.

Viktimat u gjetën në një shtëpi në qytetin Seguin, që ndodhet rreth 50 kilometra në jug të kryeqytetit Port-au-Prince. Shkaqet e vdekjes së 16 personave ende nuk dihen. Policia dhe mjekësia ligjore kanë mbërritur në vendngjarje për të hetuar rastin.

Viktimat nuk duket të jenë të lidhura me aktivitetin e bandave të armatosura që janë forcuar vitet e fundit, pjesërisht falë parave që fitojnë përmes zhvatjes ose rrëmbimit.

Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, vetëm vitin e kaluar, veprimet e këtyre bandave shkaktuan 5 mijë viktima.