
Tragjedia nuk ndalon ekspeditat, ja plani për të shkuar prapë tek rrënojat e Titanic
Një ekspeditë e re drejt Titanikut tashmë është duke u planifikuar, pavarësisht se pesë persona ndërruan jetë pak muaj më parë. Qeveria amerikane po përpiqet që të ndalojë udhëtimin për të rikuperuar sendet historike të organizuara nga RMS Titanic Inc (RMST), e cila zotëron të drejtat e shpëtimit të rrënojave.
Lajmi vjen vetëm dy muaj pasi nëndetësja e vogël Titan shpërtheu disa metra larg anijes fatkeqe Titanic, duke vrarë të pesë personat në bord.
Eksploruesi miliarder britanik Hamish Harding, zhytësi francez Paul-Henri Nargeolet, biznesmeni pakistanez Shahzada Dawood, djali i tij 19-vjeçar Suleman dhe CEO i OceanGate Stockton Rush ishin në nëndetëse teksa humbën jetën.
Mbetjet nga nëndetësja u gjetën në fundin e oqeanit, afër Titanic, pesë ditë pasi u nisën më 18 qershor.
Megjithatë Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se rrënojat e Titanikut nuk po trajtohen si një përkujtim për më shumë se 1,500 njerëz që vdiqën, sipas një pakti me Mbretërinë e Bashkuar.
Ekspedita e planifikuar synon të rikuperojë artefakte nga vendi, duke përfshirë pjesë të anijes.
Shtetet e Bashkuara argumentojnë se hyrja ose ndryshimi fizik i anijes rregullohet nga ligji federal dhe marrëveshja e tij me Britaninë. Ata janë gjithashtu janë të shqetësuar për çdo mbetje njerëzore e cila duhet të mbetet aty, e paprekur.
Ekspedita e RMST është planifikuar paraprakisht për në maj 2024. Kompania thotë se po planifikon të marrë pamje të të gjitha rrënojave, pa dëmtuar strukturën e anijes. Mbetet e paqartë nëse kjo ekspeditë do të aprovohet.