
Tragjedia në Greqi, 5 prej të plagosurve janë shqiptarë
5 shqiptarë kanë mbetur të plagosur pas tragjedisë në Greqi, ku dy trena një me pasagjerë dhe një me mallra u përplasën, në hekurudhën pranë Larisas.
Lajmin e shqiptarëve të lënduar e ka konfirmuar Konsullata shqiptare në Greqi, që ka theksuar se të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën e tyre, ndërsa nuk janë publikuar emrat apo moshat përkatëse.
Sa i përket ngjarjes tragjike, deri më tani raportohet për 40 viktima, kryesisht të rinj dhe ekziston frika se bilanci mund të rritet, ndërsa numërohen mbi 86 të lënduar.
Përplasja ka ndodhur rreth orës 23:00 të mbrëmjes së djeshme, ndërsa ende nuk janë zbardhur shkaqet e plota të aksidentit. Shefi hekurudhor është arrestuar nga policia dhe po merret në pyetje.
Dhjetëra oficerë policie dhe zjarrfikës kanë mbërritur në vendin e ngjarjes për të ndihmuar persona të mbijetuar.
Dy spitale në zonën e Larisës janë vënë në dispozicion të të lënduarve, 25 prej të cilëve thuhet se janë në gjendje të rëndë për jetën.
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis mbërriti pranë vendit të tragjedisë dhe theksoi se do të hetohen shkaqet e tragjedisë, që mos të ketë ngjarje të tilla në të ardhmen.
Deri më tani mediat greke flasin për binarë dhe moskordinimin mes tyre, duke përfunduar në të njëjtat shina.
Greqia ka shpallur tre ditë zie Kombëtare, ndërkohë që kanë reaguar liderë nga shumë vende, që solidarizohen më ngjarjen e rëndë.
*Tibo News